Porti i Durrësit në funksion të ekonomisë së Kosovës! Çfarë ka ndodhur pas vendosjes së pikës doganore
Hapja e pikës doganore të Kosovës në Portin e Durrësit të Shqipërisë, sipas autoriteteve në Prishtinë, ka ndikuar në rritjen e importit të mallrave përmes transportit detar që destinacion kanë Kosovën, si dhe ka lehtësuar procedurat doganore.
“Evropa e Lirë”, bazuar në të dhënat e Doganës së Kosovës, shkruan se që nga vendosja e pikës doganore në Portin e Durrësit janë proceduar rreth 4 mijë maune me destinacion terminalet doganore në Kosovë.
Kjo pikë doganore në Portin e Durrësit është vendosur më 15 janar të këtij viti. Mallrat që kanë destinacion tregun e Kosovës kontrollohen dhe zhdoganohen nga zyrtarë doganorë të Kosovës të vendosur në këtë port.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovë, Adriatik Stavileci, thotë për Radion Evropa e Lirë se për subjektet importuese kosovare, funksionimi i kësaj zyre doganore në Portin e Durrësit, ka shkurtuar koston e shpenzimeve të transportit, kohën si dhe procedurat burokratike tregtare.
“Aktualisht, në këtë zyre punojnë 6 zyrtarë doganorë. Brenda 11 muajve kjo zyre doganore e Kosovës në Portin e Durrësit ka proceduar 3.668 kërkesa apo maune transit me destinacion terminalet doganore në Kosovë.
Për subjektet importuese kosovare funksionimi i kësaj zyre paraqet lehtësim, sepse agjencive doganore të autorizuara (nga këto kompani kosovare) që iu kryejnë shërbimet në zhdoganim të mallrave në Kosovë, u është dhënë mundësia që të kryejnë edhe procedurën e transitit nga Porti i Durrësit deri në destinacion, brenda Kosovës”, thotë Stavileci.
Më shumë se 60 për qind e mallrave të huaja që hyjnë në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, shfrytëzojnë transportin detar, konkretisht Portin e Durrësit dhe të Shëngjinit në Shqipëri. Shfrytëzimi i transportit detar për mallrat e importuara ka shënuar rritje pas përfundimit të autostradës “Ibrahim Rugova”, e njohur edhe si ‘Rruga e Kombit’, e cila lidh Kosovën me Shqipërinë dhe anasjelltas.
Kosova dhe Shqipëria synojnë modernizimin kufitar
Bizneset që përdorin transportin detar me destiancion të mallit Kosovën, që nga vendosja e pikës doganore në Durrës po e shfrytëzojnë këtë port shumë më shumë sesa në të kaluarën, thotë kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini.
“Porti i Durrësit është pika më strategjike e transporti të mallrave dhe udhëtarëve, jo vetëm për Shqipërinë e Kosovën, por për gjithë Ballkanin e që deri më tani është shfrytëzuar jo në mënyrën që ofron për shkak se pak është investuar në këtë port, kurse portet e tjera në shtetet tjera që janë konkurrente, siç është Porti i Tivarit (Mali i Zi) dhe Porti i Selanikut (Greqi) janë porte që ofrojnë më shumë hapësirë, lehtësira, por edhe më shumë shërbime”.
“Bizneset e Kosovës pothuajse mbi 60 për qind të mallrave që i importojnë nga vendet e ndryshme të largëta përmes rrugëtimit detar e shfrytëzojnë Portin e Durrësit dhe kjo është mundësia që i është ofruar edhe për shkak të infrastrukturës rrugore që është ndërtuar”, thotë Shahini.
Ku mbeti premtimi që Portin e Shëngjinit ta shfrytëzojë Kosova?
Porti i Durrësit është i pozicionuar në pjesën jugore të Detit Adriatik, në jug të qytetit, në pjesën veriore të gjirit të Durrësit.
Delegacionet e Kosovës dhe Shqipërisë për shumë vjet diskutuan për vendosjen e pikës doganore të Kosovës në Portin e Durrësit, por kjo u arrit të funksionalizohet vetëm në fillim të këtij viti.
Po ashtu, Qeveria e Shqipërisë ia kishte premtuar Kosovës dhënien në menaxhim të Portit të Shëngjinit për nevojat e bizneseve kosovare dhe ekonomisë së përgjithshme, por kjo nismë nuk u realizua, pasi që Shqipëria kishte hequr dorë nga ky premtim.
https://www.evropaelire.org/a/porti-durresit-ekonomia-kosoves/30284630.html