Posta Shqiptare lobim për anëtarësimin e Postës së Kosovës në PostEurop
Posta Shqiptare dhe ajo e Kosovës zhvilluan një takim dypalësh ditën e premte, 18 Nëntor 2016, në Prishtinë. Dy administratat postare u përfaqësuan nga Drejtorët e Përgjithshëm respektivë z. Majlind Lazimi për Postën Shqiptare dhe z. Sejdi Hoxha për Postën Kosovare, si edhe nga stafet teknike nga të dyja palët.
Qëllimi i këtij takimi ishte respektimi dhe vazhdimi i mëtejshëm i bashkëpunimit sipas marrëveshjes zyrtare të nënshkruar nga palët në Nëntor 2014 në Tiranë.
Gjatë takimeve në Prishtinë por edhe në Gjakovë, dy palët u njohën me organizimin, aktivitetin, zhvillimet dhe sfidat e secilës prej Postave, si dhe shkëmbyen ide të ndryshme bashkëpunimi në fushën e shërbimit postar dhe financiar, teknologjisë së informacionit, postës hibride, ndërtimin e platformës dixhitale të e-commerce, tregëtisë me pakicë të telefonisë celulare përmes rrjetit postar, etj.
Gjate diskutimeve Z. Lazimi e njohu homologun e tij me arritjet dhe rezultatet pozitive të Postës Shqiptare dhe paraqiti disa nga projektet e rëndësishme në proçes, si hedhja në treg brenda vitit 2016 e bankomateve postare nëpërmjet të cilave çdo qytetar do mund të tërheqë paketat e kolitë postare në çdo orë të ditës duke shmangur radhët, implementimin e platformës për pagesat nëpërmjet telefonit (mobile payments), projektin e dixhitalizimit të rreth 200 zyrave postare në zonat rurale dhe ato të thella nëpërmjet paisjes me teknologjinë më të avancuar të PDA ose tabletave levizëse, të cilat ofrojnë fleksibilitet të lartë në përdorim dhe në ofrimin e të gjitha shërbimeve që Posta Shqiptare ofron.
Një diskutim me mjaft rëndësi ishte edhe njohja dhe anëtarësimi i Postës së Kosovës në organizatat ndërkombëtare postare si UPU dhe PostEurop ku Posta Shqiptare tashmë bën pjesë prej kohësh. Z. Lazimi shprehu gatishmërinë e Postës Shqiptare për tu angazhuar në këtë drejtim, në mënyrë që Posta e Kosovës të jetë një organizëm me të drejta të plota në organizatat ndërkombëtare njësoj si simotrat e saj në rajon.
Nga ana e tij, z. Hoxha vlerësoi maksimalisht bashkëpunimin me Postën Shqiptare duke shprehur mirënjohjen e tij për ndihmën e dhënë prej kësaj të fundit, sikurse paraqiti edhe ai objektivat dhe realizimet e Postës së Kosovës për 2016 e në vayhdim. Gjatë vizitës u shpreh edhe interesi dypalësh në hartimin e projekteve të përbashkëta që mund të realizohen me ndihmën e financimeve të Bashkimit Europian në kuadër të projekteve IPA CBC Kosovë-Shqipëri.