Prapaskenat e kthimit të Erionit nga Siria në Kosovë
Suad Sadulahi, familjar i nënës së Erionit, Pranverës, ishte personi që hapi faqen në Facebook ku bënte thirrje për kthimin e Erionit.
Pas disa tentimeve të dështuara për ta kthyer Erionin në Kosovë, dritë u pa kah Obiliqi. Fitim Lladrovci nga kjo komunë, kishte qenë në Siri përkrah ISIS-it, i cili i kishte dërguar një letër gjykatës.
Suadi nisi të zhvillonte takime me vëllanë e Fitimit, Florimin, dhe çdo takim përcillej nga njësiti anti-terror i Policisë së Kosovës.
Fitimi, që gjendej në Siri bashkë me gruan e tij, ishte pajtuar që ta kthente Erionin në Kosovë, por me një kusht!
Kushti, sipas Suadit, ishte që t’i paguheshin 10 000 euro si shpërblim.
Mirëpo, gjatë misionit për kthimin e Erionit në Kosovë, derisa Lladrovci e kishte marrë atë nga kampi ku po mbahej për ta sjellë në Kosovë, pa e vënë re fare babai i tij, në këtë rrugë ishte paraqitur edhe AKI-ja.
Suadi tregon se si agjentët e AKI-së e kishin marrë në telefon Pranverën ditën kur Erioni pritej të kthehej në Kosovë, duke e dërguar atë në ndërtesën e AKI-së ku është takuar me tashmë ish-drejtorin.
“Ai i thotë se “ne ta kemi shpëtuar djalin. Ja shiko edhe SMS-at”, e gjëra të ngjashme. Nuk kemi qenë të vetëdijshëm se AKI po na përgjonte. Ishte interesant se AKI kishte thënë se Fitimi është agjent i yni”, tregon Suadi.
“Ata i thonë Pranverës se nesër në mëngjes, djali e ke këtu”, vazhdon rrëfimin Suadi.