Premtimi i Kurtit për Prokurori të re, a është i nevojshëm një ‘SPAK’ edhe në Kosovë?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mesin e premtimeve për sektorin e drejtësisë, kishte edhe atë për krijimin e një prokurorie të re për hetimin e krimit të organizuar e korrupsionit. Por, njohësit e drejtësisë thonë se duhet të ketë investime në sistemin prokurorial, e jo të krijohen institucione të reja.
Në Prokurorinë Speciale të Kosovës, janë katër prokurorë që punojnë në departamentin për hetimin e krimit të organizuar, e 11 në departamentin për hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar.
Por, këta siç duket nuk mjaftojnë meqë një prokurori të re që do merrej vetëm me hetimin e këtyre rasteve, e ka premtuar kryeministri Albin Kurti, në ditën kur u zgjodh sërish në këtë pozitë.
“Do të themelohet Prokuroria e re e specializuar për çështje të krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe zyra për hetime disiplinore”, ka deklaruar Kurti.
Sipas ish-kryetarit të Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani më e nevojshme është fuqizimi i PSRK-së, sesa të krijohet një prokurori e re.
“Më e arsyeshme do ishte që të bëhen reforma të mëdha në Prokurorinë Speciale sepse dorën në zemër jo që ka tregu ku me dit se çfarë rezultate edhe pse emrin e ka prokurori speciale vet fjala prokurori speciale në aspektin e profesionalizimit dhe luftimit të kriminalitetit në dimensionet që ka juridiksion kjo prokuroria rezultatet duhet të jenë të prekshme”, ka theksuar Fejzullah Hasani – ish-kryetar i Gjykatës Supreme.
Hasani ka shtuar se ka rrezik që krijimi i institucioneve të reja të shërbejë për punësime partiake.
“Frikën e kam që të mos krijohet duplifikohet edhe një strukturë e ngjashme ose e njëjtë me atë aktuale dhe të mos synohet që në këtë prokurori të akomodohen njerëz partiak por të përfillet në përpikmëri ana profesionale”, ka deklaruar Hasani.
E në Institutin e Kosovës për Drejtësi thonë se krijimi i një prokurorie të re duhet të bëhet jashtë KPK-së.
“Kosovës i nevojitet një prokurori e specializuar që do duhej të bëhej jashtë ombrellës së sistemit prokurorial, mirëpo se kjo mund të bëhet vetëm me ndryshime kushtetuese e jo brenda për brenda kornizës aktuale kushtetuese të cilën e kemi mirëpo që si propozim mbetet i padetajuar se si duhet të duket, vite më parë IKD ka theksuar se është e nevojshme të kemi një prokurori dhe gjykatë të specializuar për krimin e organizuar dhe korrupsionin”, ka deklaruar Gzim Shala – Hulumtues në IKD.
Televizioni ka kërkuar një qëndrim edhe nga Prokuroria Speciale e Kosovës e nga Këshilli Prokurorial, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Aktualisht përveç 7 prokurorive themelore që veprojnë në Kosovë, është edhe Prokuroria Speciale që ka mandat hetimin e veprave penale të krimeve të luftës, krimit të organizuar, terrorizmit, korrupsionit dhe krimit Financiar./Tv Dukagjini/
KOHA JONË SONDAZH

