Presidenca sulmohet me molotov, në shënjestër dhe Kuvendi
Sot në orët e para të mëngjesit u tentua t’i vihej flaka objektit të Kuvendit të Kosovës, sulm ky që mësohet se është kryer nga persona të maskuar.
Ka qenë një person që e ka parë ngjarjen nga një banesë aty përballë Kuvendit të Kosovës, e që ka arritur më pas të bëjë edhe fotografi.
Sipas tij, pas hedhjes së shisheve me koktej molotovi në drejtim të objektit të Kuvendit, personat e maskuar me shpejtësi kanë ikur në drejtim të lagjes së njohur me emrin ‘Katër Llullat’.
Mësohet se kokteji i molotovit është hedhur konkretisht në zyrën e Shefit të stafit të Presidentes Jahjaga, Arbër Vllahiu.
Lajmin e kanë konfirmuar edhe zyrtarë të Presidencës së Kosovës. Teksa objekti i Presidencës së Kosovës ndodhet në objektin ku është edhe Kuvendi i Kosovës, e mesa duket edhe ky i fundit ka qenë në shënjestër të sulmit.