Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, uron Thaçin
Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, e ka uruar Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçin, për marrjen e detyrës së re.
Përmes një letre dërguar presidentit Thaçi, homologu i tij italian ka thënë se dy vendet tona janë të lidhura me marrëdhënie të forta dypalëshe të pasqyruara në një dialog politik në të gjitha nivelet dhe në një bashkëpunim që njeh një zhvillim të vazhdueshëm. “Rëndësia që Roma u jep marrëdhënieve me Kosovën është konfirmuar edhe me pjesëmarrjen cilësore italiane në misionet ndërkombëtare aktive në vendin tuaj”, ka shkruar presidenti italian Mattarella.
Kjo është letra e Presidentit të Republikës Italiane, Sergio Mattarella, dërguar Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit.
Presidentit të Republikës së Kosovës
Sh.T. Hashim Thaçi
Prishtinë
Me rastin e ditës së marrjes së detyrës si President i Republikës së Kosovës, kam kënaqësinë t’ju përcjell përgëzimet më të sinqerta duke ju shprehur urimet më të mira në kryerjen e detyrës tuaj.
Dy vendet tona janë të lidhura me marrëdhënie të forta dypalëshe të pasqyruara në një dialog politik në të gjitha nivelet dhe në një bashkëpunim që njeh një zhvillim të vazhdueshëm. Rëndësia që Roma u jep marrëdhënieve me Kosovën është konfirmuar edhe me pjesëmarrjen cilësore italiane në misionet ndërkombëtare aktive në vendin tuaj.
Prandaj, dëshira ime është që, gjatë mandatit tuaj, edhe në sajë të një dialogu të ripërtërirë në mes të aktorëve politikë, Kosova të mund të bëjë përparimet konkrete dhe të qëndrueshme në rrugën e reformave të brendshme, të nevojshme për të ecur përpara në rrugëtimin drejt shtëpisë së përbashkët evropiane, si dhe në normalizimin e marrëdhënieve me fqinjët tuaj. Jam i sigurt se në këtë aspekt Kosova do të vazhdojë të tregojë ndjenjë të fortë përgjegjësie, për të cilën nuk do të mungojë mbështetja e Italisë.
Zoti President, në këtë frymë, shpreh urimet e mia më të mira për mirëqenien tuaj dhe të vendit tuaj.
Sergio Mattarella
President i Republikës Italiane