Presidenti i SHBA-së: Kombi i Kosovës është zemra e të gjithë familjes Biden
Presidenti i SHBA-së Joe Biden është shprehur se familja e tij ndihet e nderuar pasi Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ndau medalje për djalin e tij të ndjerë Beau Biden, i cili kishte shërbyer në Kosovë pas përfundimit të luftës. Po ashtu Biden i ka thënë presidentes Osmani, përmes një video mesazhi se puna e Beau BIden në Kosovë ka qenë e përzemërt.
“Faleminderit, presidentja Osmani! Unë jam këtu në sallën kryesore të Shtëpisë së Bardhë dhe me fëmijët e Beau-t. Nipërit e mbesat e mia Natalie dhe Hunter janë pikërisht atje, dhe ne vetëm duam të themi se kjo është e pabesueshme dhe dua të falënderoj Republikën e Kosovës për këtë medalje. Është një nder i madh për neve që ju kujtoni djalin tonë Beau.
Puna e Beau-t në Kosovë ishte e çiltër, ai u dashurua me vendin tuaj, dhe unë kam fëmijët e tij me mua, nipërit e mbesat, Natalie dhe vëllai i tij Hunter, gjithashtu edhe motra e tij dhe e gjithë familja. Kjo do të thotë kaq shumë për ne, për të gjithë familjen. Pesë vjet më parë, unë solla Natalie dhe Hunter, gruan time Jill, dhe gjithë familja Biden në Kosovë për një ceremoni, ku u emërua një autostradë me emrin e Beau Biden para Kampit Bondsteel. Ishte shumë emocionuese për ne.
Vetëm një vit pasi humbëm Beau-n, djalin tonë, pamë teksa nderohej kujtimi për të siç bënë të dy partitë politike, duke shkuar te Kampi Bondsteel, dhe mënyra se si ata folën për Beau-n. Duke e ditur se sa njerëz ka prekur, ne jemi përgjithmonë mirënjohës për të gjithë njerëzit e Kosovës, të cilët Beau i deshi aq shumë, kështu që ai besoi aq thellë në pavarësinë dhe demokracinë tuaj”, ka thënë Biden.
Nga ana tjetër, ai ka thënë se Kosova ende ka për të bërë shumë punë, duke premtuar njëherësh se SHBA do të vazhdojë të mbetet partner i saj në të ardhmen.
“Pra, duke pranuar këtë çmim në emër të djalit tonë, unë gjithashtu dua të kujtoj përparimin e jashtëzakonshëm që Kosova ka bërë gjatë 20 vjetëve të fundit, kanë qenë atje njerëz që kanë punuar pa u lodhur për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur, dhe Beau e besoi atë për popullin e Kosovës. Ka akoma më shumë punë për të bërë, nuk kam nevojë të ua them, duhet më shumë punë për të luftuar korrupsionin për të mbrojtur të drejtat e pakicave etnike dhe fetare, për të ndërtuar marrëdhënie pozitive me kombet fqinje dhe për të forcuar zhvillimin ekonomik.
Dhe ju premtoj, që SHBA do të mbeten partneri i palëkundur i Kosovës në këtë luftë. Kështu së bashku ne mund të dëshmojmë se shtetet demokratike janë në gjendje të plotësojnë nevojat e qytetarëve të tyre. Isha vërtet i lumtur që munda të ndaj një vaksinë të sigurt dhe efektive, vaksinën Pfizer, me të gjithë ju, nga furnizimi që kishim, që qytetarët e Kosovës të mposhtnin pandeminë Covid-19, dhe pres që vaksina tjera të dërgohen nga nisma ndërkombëtare Covax, dhe dozat do të vijnë brenda javëve.
Si president i Shteteve të Bashkuara pres me padurim të vazhdoj thellimin e miqësisë tonë të jashtëzakonshme dhe partneritetin midis dy Kombeve tona. Përsëri, në emër të Natalie, mbesës sime të bukur, djalit tim të bukur dhe vëllait të tij Hunter dhe motrës së tij Ashley, dhe Jillit dhe nga e gjithë familja Biden, faleminderit për këtë nder të madh. Kjo ka më shumë rëndësi për ne sesa ju e mund ta paramendoni. Kombi i Kosovës është zemra e të gjithë familjes Biden. Dhe siç do të thoshte nëna ime, Zoti ju do”, ka përfunduar Biden.