Presidenti Meta: Projekte të përbashkëta me komunat e Kosovës dhe bashkitë e Shqipërisë
Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot në një takim Bekim Jasharin, Kryetar i Komunës Skenderaj dhe Ramiz Lladrovci, Kryetar i Komunës Drenas, të Kosovës.
Presidenti shprehu kënaqësinë për këtë takim, me drejtuesit e këtyre dy komunave të Drenicës, si dhe vuri në dukje kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë zona e Drenicës në historinë e kombit tonë.
Presidenti Meta theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi në mes të bashkive të ndryshme të Shqipërisë më komunat e Skenderajt dhe të Drenasit, por edhe me komunat e tjera të Kosovës, në realizimin e projekteve të përbashkëta që kanë të bëjnë me kulturën, arsimin, sportin, bujqësinë, si dhe me të gjitha fushat e tjera të jetës.
Presidenti Ilir Meta, në mënyrë të veçantë u interesua për hartimin dhe përgatitjen e projekteve të përbashkëta, në mes të bashkive të Shqipërisë dhe komunave të Kosovës, në kuadrin e Programeve Evropiane për zhvillimin e rajoneve.