Presidenti Meta takohet me kryeparlamentarin e Kosovës:“Liberalizimi i vizave të ndodhë sa më parë”
Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar një takim me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Në një postim në Facebook, Meta shkruan se Kosova ka hedhur themele të forta e të qëndrueshme të shtetndërtimit.
Kreu i Shtetit thotë se Shqipëria duhet të marrë shembull nga ushtrimi i demokracisë në Kosovë, në veçanti se si llogaridhënia e qeverisë sigurohet përmes zgjedhjeve të lira.
Sipas Presidentit, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një domosdoshmëri, që duhet të ndodhë sa më parë.
Postimi i Ilir Metës:
Një takim vëllazëror në Prishtinë me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Kënaqësi të ndaja vlerësimet për përparimin e gjithëanshëm të Kosovës, që gjithmonë e më shumë po konsolidohet si faktor paqeje, sigurie, stabiliteti, demokratizimi dhe europianizmi në rajon.
Kosova ka hedhur themele të forta e të qëndrueshme të shtetndërtimit, duke përqafuar vlerat dhe parimet më të larta demokratike, respektin për liritë, të drejtat dhe dinjitetin njerëzor, mbrojtjen më sipërore të pakicave, e përkushtuar për funksionimin e demokracisë parlamentare, që respekton parimet e kontrollit dhe balancës së pushteteve, që synon sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.
Shqipëria duhet të marrë shembull nga ushtrimi i demokracisë në Kosovë, në veçanti se si llogaridhënia qeverisëse sigurohet përmes institucionit më jetik të demokracisë përfaqësuese, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Me rëndësi për forcimin e gjithëanshëm të marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve tona, konkretizimi me nisma ligjore të marrëveshjeve ndërqeveritare.
Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një domosdoshmëri, që duhet të ndodhë sa më parë.