Presidenti shtyn dekretin për formimin e qeverisë së re në Kosovë, shkak bëhet…

Situata politike në Kosovë vijon të mbetet në ngërç që pas shkarkimit të Albin Kurtit gjatë seancës së mosbesimit në parlament. Prej ditësh ndonëse në situatë të jashtëzakonshme nga pandemia globale politika Kosovare është në kërkim të një kandidati të ri për Kryeministër.

Shefi i Shtetit Hashim Thaci  ende s’e ka nënshkruar dekretin me të cilin do ta nominonte Avdullah Hotin për Shef të Qeverisë së re. Krejt kjo për shkak se LDK ende s’e ka dërguar emrin pavarësisht se kërkesa ka shkuar në Zyrën e Isa Mustafës.

Të enjten e kaluar, Hashim Thaçi si Shef i Shtetit, e ka nisur një letër në drejtim të Isa Mustafës ku i kërkon emrin e kandidatit për Kryeministër. Letra s’është bërë publike ende ndërsa Zyra e Presidentit vetëm ka konfirmuar kërkesën e Thaçit në drejtim të Kryetarit të LDK’së. Lëvizja Vetëvendosje po kërkon ta shohë letrën për të bërë gati kërkesën për mbrojtje të kushtetutshmërisë pasi Presidenti të vendos që t’ia japë mandatin partisë së dytë.

Mirëpo, në Presidencë dhe as në LDK nuk e kanë dhënë letrën e Thaçit që i është drejtuar Mustafës.

Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, ka thënë se nëse lënda e formimit të Qeverisë përfundon në Gjykatë, atëherë, do të presin vendimin e pastaj të formojnë Qeverinë.

Lëvizja Vetëvendosje ka refuzuar të dërgojë emrin për shef të ri të Qeverisë pas shkarkimit të Albin Kurtit nga pozita e Kryeministrit me votat e 2/3 të deputetëve. Shefi i Vetëvendosjes ka insistuar të shkohet në zgjedhje dhe të mbetet në pozitën e Kryeministrit derisa të kalojë pandemia dhe ka thënë se Parlamenti duhet të shpërndahet ndërsa Presidenti duhet vetëm të caktojë datën e zgjedhjeve.

SHKARKO APP