Presidenti Thaçi thirrje shqiptarëve të Malit të Zi: Merrni pjesë në zgjedhje
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi iu bëri thirrje sot shqiptarëve në Mal të Zi që të marrin pjesë në zgjedhjet që pritet të mbahen të dielën. Ai tha se këto zgjedhje përbëjnë një moment të rëndësishëm për forcimin e orientimit euroatlantik të Malit të Zi.
“U bëj thirrje të gjithë bashkëkombësve tanë, që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur dhe forcuar stabilitetin politik, paqen dhe sigurinë në tërë Ballkanin Perëndimor”, tha Thaçi.
Më 30 gusht në Mal të Zi mbahen zgjedhjet parlamentare, të njëmbëdhjeta me radhë që nga futja e këtij vendi në sistemin shumëpartiak, si dhe të pestat me radhë që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2006.
Në garë janë gjashtë koalicione, nga të cilat dy janë shqiptare, si dhe pesë parti politike.
Zgjedhjet po mbahen në një kohë të tensioneve të shtuara ndërmjet shtetit dhe Kishës Ortodokse Serbe për shkak të miratimit të Ligjit për Liritë Fetare, të cilin e kundërshton kisha.