Presidentja Osmani pritet nga Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit: Qëndrim parandalues përballë kër*ënimeve
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani zhvilloi një takim me Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Louis Bono. Takimi u fokusua në forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Osmani riafirmoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për të bashkëpunuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara, duke thelluar marrëdhëniet bilaterale.
Presidentja theksoi rëndësinë e forcimit të sigurisë rajonale dhe nevojën për një qëndrim të fuqishëm parandalues përballë kërcënimeve të vazhdueshme nga Rusia, Serbia dhe aktorë të tjerë keqdashës. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani nënvizoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit të ngushtë për të ruajtur stabilitetin dhe paqen në rajon.
Osmani foli për rëndësinë e integrimit të Kosovës në NATO, gjë që përveç se do të fuqizonte sigurinë në Kosovë e rajon, është përfundimisht edhe në harmoni me objektivat strategjike amerikane për paqen dhe sigurinë globale. Ajo konfirmoi se Kosova ka rritur tashmë buxhetin për mbrojtje në 2% të Bruto Produktit Vendor dhe është në proces të rritjes së këtij buxheti për të përmbushur objektivin strategjik të anëtarësimit në NATO.
Presidentja konfirmoi gatishmërinë e Kosovës për angazhim aktiv në drejtim të realizimit të Dialogut Strategjik, i cili iu ofrua Kosovës në fillim të këtij viti, për të adresuar sfidat dhe përparësitë e përbashkëta në fusha të ndryshme. Louis Bono është emëruar nga Administrata e Presidentit Trump si ushtrues detyre në pozitën e Ndihmës Sekretarit të Shtetit me datë 20 janar 2025.
KOHA JONË SONDAZH

