Presidentja uron besimtarët katolik për festën e Pashkëve

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga i dërgoi një mesazh urimi Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, dhe të gjithë besimtarët katolikë, me rastin e Festës së Pashkëve.

“Në këtë ditë, duke kujtuar të gjithë ata që nuk janë më mes nesh, të respektojmë jetën dhe vlerat e veprat e tyre, që na mundësuan të jemi këtu ku jemi sot”, ka thënë Jahjaga në mesazhin e urimit për festën e Pashkëve.

Mesazhi i Presidentes:

I nderuar Ipeshkv,

Të nderuar besimtarë,

Ju përcjell urimet e mia më të mira me rastin e Festës së Pashkëve. Dëshiroj që kjo festë, që shënon ringjalljen e shpirtit njerëzor dhe ripërtëritjen e besimit te Zoti, t’ju gjejë mes miqsh e të dashurish, në paqe e gëzime.

Uroj që kjo festë të na shërbejë për të reflektuar për të sotmen dhe për të ardhmen tonë, të na shtojë vlerat njerëzore të dashurisë dhe të respektit për njëri-tjetrin.

Në këtë ditë, duke kujtuar të gjithë ata që nuk janë më mes nesh, të respektojmë jetën dhe vlerat e veprat e tyre, që na mundësuan të jemi këtu ku jemi sot.

Po kështu, le të na shërbejë kjo festë, për të treguar solidaritetin tonë me të gjithë njerëzit që kanë nevojë për ndihmën dhe respektin tonë. Shpirti human na ka përshkuar me decenie e shekuj, ta tregojmë atë edhe sot.

Në këtë ditë madhe, lutem për mirëqenie e dashuri mes njerëzish, për paqe për të gjithë njerëzimin.

SHKARKO APP