Presidentja, Vjosa Osmani takohet me këshilltarin për Siguri Kombëtare të Presidentit Biden
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani po vazhdon takimet me personalitete të ndryshme në margjina të Samitit të Paqes për Ukrainën në Zvicër, ku po marrin pjesë liderë nga 100 shtete.
Osmani së fundmi ka njoftuar se është takuar me dy zyrtarë të lartë amerikan me të cilët ka diskutuar për rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit Kosovë-SHBA.
Tetëdhjetë vende të botës kanë bërë thirrje që “integriteti territorial” i Ukrainës të jetë themeli i çfarëdo marrëveshjeje për paqe për t’i dhënë fund luftës së Rusisë, në një deklaratë të lëshuar në ditën e dytë dhe të fundit të takimit të tyre në një resort në Zvicër më 16 qershor.
Mungesa e Rusisë dhe e Kinës në Samitin për Paqe Globale, që u iniciua nga Ukraina, i ka zbehur shpresat për ndonjë arritje të madhe.
Deklarata përfundimtare thekson se karta e OKB-së dhe “respektimi i integritetit territorial dhe sovranitetit…mund dhe do të shërbejnë si themel për arritjen e një paqeje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe afatgjate në Ukrainë”.
“Ne besojmë se arritja e paqes kërkon përfshirje dhe dialog mes të të gjitha palëve”, thuhet në deklaratë.
Zvicra ishte pajtuar të jetë nikoqire e samtit me shpresën se do ta hapte rrugën për një proces për paqe në të ardhmen, në të cilin do të përfshihej edhe Rusia.
Zelensky nuk donte që Rusia të ftohej në samit në këtë kohë./Telegrafi/