Princi Britanisë Charles viziton Kosovën më 18 mars

Princi Charles do të vizitojë sërish Kosovën pas 17 vjetësh. Më 18 mars ai do të vizitojë Kosovën i shoqëruar nga bashkëshortja, Camila, si pjesë e një turi që do të zhvillojë në Ballkan.

Princi i Uellsit dhe Dukesha e Kornuellit do të vizitojnë Kroacinë, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën nga data 14-19 mars 2016, njofton ambasada britanike në Prishtinë.

Në Kosovë, axhenda e tyre përfshin një ceremoni ku do të vendosin kurora me lule për të pagjeturit e luftës në Kosovë pranë ndërtesës së Kuvendit, në Prishtinë. Dukesha e Kornuellit dhe Presidentja Jahjaga do të takohen edhe me të mbijetuarat e dhunës seksuale për të dëgjuar për sfidat me të cilat janë përballur ato në kërkim të drejtësisë, si dhe për punën e Këshillit Kombëtar të udhëhequr nga Presidentja, thuhet në  njoftimin e ambasadës.

Princi do të vizitojë edhe Prizrenin ku do të marrë pjesë në konferencën ndërfetare të organizuar në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës. Po ashtu do të nderojë edhe personelin e Mbretërisë së Bashkuar dhe të KFOR-it që humbën jetën gjatë shërbimit të tyre në Kosovë me një ceremoni në selinë e KFOR-it.  Vizita parashikon edhe një vizitë të Dukeshës së Kornuellit në Fushë-Kosovë  me fokus, integrimin e grupeve të margjinalizuara në shoqëri.

Princi vjen për herë të tetë në Ballkanin Perëndimor, ndërsa Kosovën e viziton për herë të dytë që nga shtatori i vitit 1999.

SHKARKO APP