Prishtina dhe Beogradi pajtohen për marrëveshjen mbi drejtësinë

Presidentët e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç, u takuan sot në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Kjo e fundit ka lëshuar një deklaratë për media, duke thënë se “të dyja palët janë pajtuar për hapat përfundimtarë në zbatimin e Marrëveshjes për Drejtësinë, të arritur brenda dialogut që ndërmjetëson BE-ja”.

“Presidentët konfirmuan se marrëveshja do të zbatohet plotësisht më 17 tetor, 2017. Atë ditë, gjykatësit, prokurorët dhe stafi gjyqësor do të integrohen në Gjyqësorin e Kosovës. Integrimi i personelit gjyqësor do të mundësojë drejtësi në gjithë Kosovën, në veçanti në rajonin e Mitrovicës”, tha Mogherini.

Duke folur për gazetarët pas takimit, edhe Thaçi, edhe Vuçiç thanë se janë pajtuar që të shpeshtohen takimet e tilla, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje midis dy popujve.

Thaçi tha se nuk ndërhyn në debatet e brendshme në Serbi, porse pavarësia e Kosovës dhe integriteti i saj territorial “janë çështje të përfunduara dhe të pakthyeshme”.

“Çdo marrëveshje përfundimtare midis dy vendeve do të jetë në pajtim me vullnetin e popullit të Kosovës”, tha Thaçi.

Ja ku u takua Thaçi me Vuçiçin mëngjesin e sotëm

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tashmë janë takuar në ndërtesën e Shërbimit të Jashtëm në Bruksel, si pjesë e një pune joformale gjatë ngrënies së mëngjesit, të organizuar nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç nuk do të qëndrojë më shumë në Bruksel, pasi nesër ai do të jetë në Serbi, për të përuruar një shkollë të re,raporton Tanjug, transmeton Indeksonline.

Ndryshe, Komisioni Evropian më herët ka njoftuar se qëllimi i këtij takimi është për të shkëmbyer mendimet mbi vazhdimin e dialogut të normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit me një fokus për përgatitjen e fillimit të një faze të re të dialogut, gjë e cila u dakordua nga dy presidentët në muajin korrik.

Sot takimi Thaçi-Vuçiç, çfarë pritet në Bruksel

Presidentët e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçic, takohen sot në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Palët kanë paralajmëruar se takimi do të shënojë një fazë të re të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

“Dy presidentët do të shkëmbejnë pikëpamjet mbi vazhdimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve, pas pajtimit të tyre, në muajin korrik, që të fillojnë përgatitjet për një fazë të re të dialogut”, ka thënë zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq.

Në takimin e 3 korrikut, Thaçi dhe Vuçiç kanë thënë se kanë rënë dakord që bisedimet të hyjnë në një periudhë të re, për të trajtuar çështje përtej atyre teknike.

Thaçi ka shprehur bindjen se kjo periudhë e re do të çojë në pajtimin e dy vendeve dhe do t’i hapë rrugë së ardhmes evropiane.

Kocijançiq ka paralajmëruar se në takimin e sotëm do të flitet edhe për zbatimin e marrëveshjeve që kanë arritur palët deri më tani.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në prill të vitit 2013.

Normalizimi është kusht për të dyja vendet që të avancojnë në rrugën e integrimit evropian.

Me procesin e deritashëm, Kosova ka siguruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në, ndërsa Serbia ka hapur disa kapituj të negociatave për anëtarësim në bllok.

Vuçiç po ashtu ka paralajmëruar hapjen e një dialogu të brendshëm për Kosovën, me qëllim që t’i jepet fund, siç ka thënë ai, “qasjes mitike” ndaj saj.

Qëllimi përfundimtar i këtij dialogu nuk dihet. Kosova vazhdon të figurojë në Kushtetutën serbe si “pjesë e Serbisë”, ndonëse Vuçiç ka thënë se po shqyrton mundësinë e ndryshimeve kushtetuese deri në fund të këtij viti.

Megjithatë, analistët në Prishtinë nuk presin që në një afat të shkurtër kohor të ndodhë ndonjë kthesë e madhe, që si rezultat do të sillte njohjen e shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, në bazë të planit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari.

SHKARKO APP