Protesta u politizua
Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së, të cilët mbështetën protestën e sotme, dënojnë politizimin e saj si dhe sulmet që u bënë ndaj policisë dhe ndërtesës së Qeverisë.
Sipas KosovaPress, ata dënojnë ashpër të gjithë ata që tensionuan situatën, luajtën me ndjenjat e sinqerta të qytetarëve, duke e shndërruar protestën në të kundërtën e qëllimit të saj.
“Ndërkohë që qytetarët u tubuan për mbrojtjen e pasurive të Kosovës, drejtimi politik dhe huliganist që iu dha protestës, prodhoi të kundërtën: u dhunuan ndërtesat e institucioneve të Kosovës dhe objektet afariste, si dhe u lënduan ata që kujdesen për sigurinë tonë”, thotë OVL e UÇK-së.
E ripërsëritim se mbrojtja e pasurive të Kosovës si dhe dënimi i deklaratave shoviniste nga ana e një ministri serb të Qeverisë së Kosovës, ishin qëllimet për të marrë pjesë në protestën e sotme.
“Kështu besojmë se edhe qytetarët që morën pjesë, kishin sinqeritetin më të madh për protestë dinjitoze, e kurrësesi prirjen për dhunë të panevojshme”, thotë OVL e UÇK-së.
Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së, thonë se do të përkrahin të gjitha protestat paqësore për të mirën e përgjithshme, e kurrësesi protestat vandaliste ku dëmtohen pronat publike dhe të qytetarëve.