Pse LSDM e Zaev nuk flet për shtatë kërkesat e partive shqiptare?

Nga Nikoll LESI

Artikulli i Berat Buzhalës me titull “Do të bëja koalicion me Nikolla Gruevskin” ishte i guximshëm, realist dhe i gjithëpranuar nga faktori politik me mend në kokë në rajonin e Ballkanit. E vërteta, e frikësuar për t’u pranuar nga Ali Ahmeti dhe ndonjë parti tjetër në Maqedoni, tregon se shqiptarët kanë shansin më të mirë i cili nuk ka për t’ju ardhur më në dorë dekada të tjera për të ndikuar mbi qeverisjen e Maqedonisë, natyrisht në interes të shqiptarëve. Rasti fatlum u erdhi partive politike shqiptare dhe nuk duhet humbur asnjë dekikë nga firmosja e një marrëveshje me Kryeministrin e dekretuar Gruevskin. Si rregull në politikë bëhen shtatë kërkesa që të realizosh me shumë se gjysmën, sepse nëse do të ishte praktikë në politikë që aq sa kërkon, aq merr, del se nuk ka asnjëherë marrëveshje. Secili tërheq nga vetja dhe arrihet një e mesme e pranueshme për dy palët, në negociata. Marrëveshje nënkupton se palët bisedojnë dhe bien dakort për të tërhequr diçka njëra palë dhe pranuar pala tjetër.

Shkrimit të Buzhalës mund t’i hiqen nja dy presje dhe katër pika si gabime ortografike! Ishte analizë kurajoze. Por ka një pyetje tjetër, të cilën me marifet e kishte ndërthurur mes rreshtave Berat Buzhala, por unë po pyes direkt: Pse nuk ka asnjë deklaratë apo prononcim të partisë opozitare maqedonase LSDM për shtatë kërkesat e shqiptarëve? Pse edhe dy deputetët shqiptarë brenda LSDM nuk flasin për kërkesat publike të partive shqiptare në Maqedoni? Nëse Kryeministri Gruevski heziton për shtatë kërkesat, pse Zoran Zaev nuk del publikisht e të thotë se: “Hajdeni të bëjmë qeverinë bashkë dhe të shtatë kërkesat e shqiptarëve do t’i plotësojë unë me LSDM?”. Dhe nëse Nikolla Gruevksi heziton për disa kërkesa, pse Zoran Zaev, i cili ka marrë plot 70 mijë vota shqiptare dhe dy deputetë mirëfilli shqiptarë, nuk thotë një fjalë? Nëse do të kishte njeri detyrim më shumë mbetet lideri i opozitës Zaev që rendi nëpër katundet shqiptare të Maqedonisë dhe mori një tren me vota. Kur nuk e bën tani publikisht Zoran Zaev, të cilin i duhen votat shqiptare, sepse ka marrë 49 deputetë nga 51 që ka Kryeministri i dekretuar, kur dhe si do të flasë më vonë? Për të qenë pragmatistë Zoran Zaev duhej të dilte pa hezituar, madje edhe me dy deputetët shqiptarë të partisë së tij maqedonase dhe të thoshte: “Pranoj kushtet shqiptare dhe hajde të qeverisim”. Nuk e ka bërë, sepse në thelb si Gruesvki, si Zaev, janë e njëjta pasqyrë maqedonase për fytyrat shqiptare. Ndaj nisur nga pragmatizmi, sepse për parimet duhet një natë e gjatë dimri të flasim, Ali Ahmeti ka më tepër interes për Nikolla Grueskin se sa me Zoran Zaev.

Nëse ia dredh Gruevski ku përballë ka një lider opozite që don ta fus në burg Kryeministrin e dekretuar, atëherë votat shqiptare aty janë prapë dhe palosin secilin lider momental maqedonas. Nëse Ali Ahmeti dhe liderët e partive shqiptare do të binin dakord që të shkonin në zgjedhje përsëri, duke mos ia dhënë votat as Gruesvkit, por as Zaev, si dhe të vendosnin të kandidonin vetëm me një parti shqiptare, atëherë them se kanë të drejtë të mos pranojnë të futen në qeveri. Me një parti të unifikuar shqiptarët marrin edhe 30 deputetë, dhe asnjë nuk kandidonte nga emrat shqiptarë, as me Grueskin e as me Zaev. Në këtë rast them se nuk duhet të futen në qeveri me asnjërin, nëse nuk i plotësojnë qoftë edhe një pikë nga shtatë pikat. Por të gjithë e dimë se partitë shqiptare në Maqedoni, sikurse dhe në Mal të Zi, po e zbehin forcën reale shtetformuese të shqiptarëve për shkak se secili “bajraktar” krijon një parti politike. E në fund dalin me pak deputetë se sa kishin dhe sa kanë momentalisht.

Nisur nga realiteti e jo nga dëshirat Ali Ahmeti dhe partitë shqiptare duhet të kërkojnë para se të vendosin këto ditë për futjen ose jo në qeveri që të deklarohet publikisht dhe të firmosë lideri i opozitës Zoran Zaev për shtatë kërkesat e tyre. Nëse ua pranon dhe firmos, edhe unë po të kisha votë deputeti në Maqedoni, do të thoja jo me Gruevskin, por me Zoran Zaev.

Ndaj mos humbisni shansin historik, zoti Ali Ahmeti, natyrisht duke negociuar për sa pranon realpolitika.

SHKARKO APP