“Pse nuk më akomoduat në hotel me 5 yje?”. Ja si i përgjigjet organizatori i seminarit ministres Karabina

Pas ankesave nga ministrja Karabina, e cila i ka kërkuar llogari autoriteteve të Kosovës se përse nuk është akomoduar në një hotel me 5 yje, ka ardhur dhe reagimi nga një nga organizatorët e Seminarit në Kosovë, Nuhi Gashi.

Nëpërmjet një e- maili zyrtar, Gashi e ka cilësuar si “agresivë” letrën e ministressë Arsimit. Ai shkruan se është i gatshëm që t’i dorëzojë ministres Karabina të gjitha dokumentet e nevojshme përsa i përket buxhetit të ofruar nga pala shqiptare dhe ajo kosovare dhe mënyrës së si është shpenzuar ai.

Ndërsa përsa i përket organizimit, sipas së cilës nuk ishte në nivelin e duhur, Gashi shkruan se ka qenë vetë ajo që nuk ka respektuar një ndër kriteret kryesore të këtij seminari, orarin kur ishte parashikuar të niste.

Ai tregon se e ka pasur shumë të vështirë që të “zbusë zemërimin” e mësueseve të pranishme në sallë, pasi ministrja Karabina, e cila pretendon për standarte të larta organizimi, ka ardhur plot 30 minuta me vonesë.

“E nderuar zonja Gjishti!
Fillimisht uroj të jeni mirë dhe më ndjeni që nuk arrita me kohë të jep sqarime lidhur me çështje konkrete që ngre letra Juaj. Kisha skajshmërisht shumë punë rreth seminarit dhe nuk më mbetej kohë për postën.

Por, një imejl i përsëritur, i ardhur si Cc edhe në adresën time, më obligon që aktualisht në shenjë respekti, mirësjellje e kontributi eventual për kompletimin e të dhënave në kontekst të letrës Suaj,  deri në leximin e kujdesshëm të raporteve/pyetësorëve  e vetëvlerësimeve (anonime)  të mësueseve e të mësuesve, t’ju sqaroj si më poshtë:

–          Pothuaj se për shumicën e zërave/njësive  të seminarit, të cilat ju i afishoni në letrën Tuaj, shpresoj se do të kemi  vlerësimin e sqarimet e nevojshme nga personat përgjegjës të logjistikës së Seminarit (akomodimi, sallat, pajisjet, ushqimi, higjiena etj;) dhe mbase e mira e kësaj pune është se ata (të të dy ministrive homologe) ishin aty, i dinë këto punë shumë më mirë se unë (unë personalisht dhe shumica e mësueseve, duke punuar në shtetet e demokracive më të zhvilluara, kanë marrë shumëçka nga një kod tjetër i sjelljes, ku  titullari i shtetit /i çdo niveli/ duhet të gjendet në sallë edhe para kohës së shpallur) dhe i posedonin edhe dokumentet/marrëveshjet e arritura paraprakisht (shkurt 2017) me hotelin;

–          Shikuar nga perspektiva ime,   fillimisht si autor  e më vonë bashkautor  i konceptit të zhvilluar më tej të  kësaj ngjarjeje,   përtej subjektivizmit   e sentimenteve të mia me të (seminarin),  aq sa arrita të  qëmtoj vlerësimet e mësuesve e të mësueseve,  e them me plot kompetencë profesionale e kënaqësi  se në veçanti në rrafshin e formatit didaktik më janë realizuar pritjet;

–          Në raport me gjuhën mjaft ‘agresive’  të letrës Suaj, më duhet t’Ju sqaroj se, ndër të tjera,  nuk e pata të lehtë ta ‘qeveris’ apo ta zbus zemërimin e mësuesve për  vonesën deri në 30 minuta  të fillimit të punimeve të seminarit dhe heqjen nga agjenda të komunikimit të hapur (debatit), të planifikuar ditën e parë në linjën: mësuesit/et- ministrat  respektivë të tri ministrive;

–          Puna e hetimit/auditimit  edhe buxhetor/financiar  për mua është një normalitet/rutinë,  që ka ndodhur dhe duhet të ndodhë edhe me këtë rast, prandaj më keni të hapur me të gjitha letrat e të dhënat që posedoj;

–          Një raport integral  e me kompetencë të plotë (nga ana ime) do ta bëj ditët në vazhdim, natyrisht mbështetur, fillimisht, në (vetë)vlerësimet/gjykimet  e mësuesve, sepse seminari u dedikohet atyre dhe mund të mbijetojë  vetëm  nëse u përshtatet interesave e nevojave të tyre (bile në këtë rrafsh, ua bëj me dije  të gjithë subjekteve se edhe më tutje bazën e buxhetit të seminarit e përbën investimi personal i mësuesit/es  në para, kohë, durim e guxim profesional, angazhim e përkushtim patriotik etj., që thënë shkurt mund të emërtohet si ndërgjegje kulturore)

Me respekt,

Nuhi Gashi”.

Ministrja Karabina i kërkon llogari Kosovës: Pse nuk më akomoduat në hotel me 5 yje

SHKARKO APP