Pse nuk u lejua Thaçi në varrimin e të atit?

Hashim Thaçi nuk mori pjesë në varrimin e të atit, Haxhiut, të cilit iu dha lamtumira e fundit të martën në Burojë të Skenderajt. Mosprania e ish-presidentit nxiti reagime të forta në Prishtinë duke e cilësuar një turp mos dhënien e lejes nga ana e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Fillimisht pati deklarata kontradiktore nëse kishte një kërkesë nga ana e avokatit të Thaçit por që u sqaruan menjëherë.

“Z. Thaçi ka bërë kërkesë të hënën para orës 14:00 për të marrë pjesë në varrimin e së martës. Nuk do të kem asnjë koment të mëtejshëm për momentin”, tha avokati i Thaçit, Luka Misetic. Dhomat e Specializuara, duke mos përmendur ndonjë vendim, thanë se i trajtojnë me prioritet kërkesat e kësaj natyre por ka edhe arsye logjistike që nuk realizohen në kohën e duhur.

“Është e rëndësishme të theksohet se ndërsa vizita të tilla, kur urdhërohen nga gjykatësit, organizohen sa më shpejt që të jetë e mundur, kjo mund të marrë ca kohë, duke kërkuar koordinim të ngushtë me një numër aktorësh dhe marrëveshje komplekse logjistike, duke përfshirë fluturimet dhe sigurinë”, ishte përgjigja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, paralajmëroi se do t’i kërkonte sqarime Dhomave të Specializuara për mungesën e Thaçit në varrim. Ndërsa Partia Demokratike e Kosovës e cilësoi si të papranueshme dhe të padrejtë mungesën e ish-kryeministrit në ceremoninë mortore. “Është një humbje e cila bëhet edhe më rëndë sidomos për shkak të mungesës së presidentit Thaçi që nuk u lejua të marrë pjesë në varrimin e babait të tij. Së paku në fund të jetës së bacës Haxhi ai e pati mundësinë ta shoh edhe njëherë por besoj që është krejtësisht e padrejtë dhe e papranueshme, dhe e paarsyeshme, mungesa e presidentit Thaçi sot në varrimin e babait të tij”, tha kryetari i PDK, Memli Krasniqi.

SHKARKO APP