Qeveria e Kosovës: Heqja e letërngjitëseve akt i fqinjësisë së mirë!
KOSOVË- Qeveria e Kosovës mori vendim të enjten vonë që të lejojë hyrjen në Kosovë të makinave me targa serbe, pa i mbuluar simbolet shtetërore të Serbisë (RS). Në këtë mënyrë Kosova hoqi masën reciproke vetëm pak ditë pasi Serbia mori vendim të ngjashëm për makinat me targa të Kosovës. Vendimi i Kosovës hyn në fuqi sapo të publikohet në gazetën zyrtare.
“Heqja e regjimit të letër ngjitëseve është akt i fqinjësisë së mirë dhe vjen pas njohjes së plotë të targave të Republikës së Kosovës nga Serbia”, thuhet në njoftim të qeverisë së Kosovës.
Nga 1 janari i këtij viti makinat me targa të Kosovës lejohen të hyjnë edhe në Serbi pa i mbuluar simbolet shtetërore (RKS), pas një periudhe të gjatë tensionesh ndërmjet dy vendeve. Autoritetet serbe thanë, se vendosën të lejojë lëvizjen e makinave me targa të Kosovës, por në vendkalimet kufitare ata vendosën afishe, në të cilat thuhet se “mundësimi i kalimit të kufirit me targa RKS bëhet për arsye krejtësisht praktike”, që liria e lëvizjes të bëhet më e lehtë, dhe nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së Kosovës”.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, pati thënë se “Serbia po respekton marrëveshjen e arritur në vitin 2011 në Bruksel për lëvizjen e lirë dhe lehtësimin e lëvizjes së makinave për serbët e Kosovës”.
Marrëveshja fillestare për përdorimin e targave të makinave ishte arritur në fund të vitit 2011, por zbatimi i saj në terren u pamundësua për shkak të mospajtimeve dypalëshe. Beogradi nuk pajtohej me targat e Kosovës me mbishkrimin RKS. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se “vendimi për lëvizjen e lirë të makinave me targa RKS nëpër Serbi “ka shmangur gracka dhe rreziqe të mëdha për Serbinë”.
Në gusht të vitit të shkuar Kosova dhe Serbia në kuadër të dialogut, arritën një marrëveshje për përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave. Për serbët e Kosovës që mbanin targa të makinave ilegale, qeveria dha afat deri më 15 dhjetor të këtij viti që t’i konvertojnë targat e tyre në RKS. Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme e Kosovës, rreth 4 mijë e 200 vetura të serbëve janë me targa të reja, ndërsa, shumë të tjerë i kanë regjistruar makinat e tyre edhe në Serbi dhe ata natyrisht lejohen t’i përdorin ato edhe në Kosovë sikurse targat e çdo vendi tjetër.
Marrë nga DW