Qeveria e Kosovës jep 50 mijë euro për familjen e efektivit Afrim Bunjaku
Qeveria e Kosovës sot ka ndarë 50 mijë euro për familjen e heroit Afrim Bunjaku, që ra në krye të detyrës.
Kryeministri Kurti tha se kjo shumë ndahet për t’i dalë në ndihmë familjes së rreshterit.
“Në betejën e Kosovës për ligj dhe kushtetutshmëri aty e kishim Afrimin, ndërsa për familjen e tij sot dhe çdo ditë tjetër është e gjithë Kosova. Është obligim i yni që kemi përballë vetëmohimit të Afrimit ne sadopak ta përmbushim me atë që kemi e mundemi për ata që ai la prapa, më të dashurit e tij, bashkëshorten Lumnijen, vajzën Arbenitën e djemtë Jetlumin e Fatlumin. Andaj sot do të aprovojmë vendimin për ndarjen prej 50 mijë euro për t’i dalë në ndihmë familjes së Afrimit. Para veprës heroike të Afrimit çdo herë do të përkulemi me nder dhe atë do ta kemi gjithmonë në mendjet, zemrat e shpirtat tonë”, tha Kurti.
Ministri i Financave Hekuran Murati tha se Qeveria çdo herë do të jetë pranë familjes. /Express/