Qeveria e Kosovës, konsultime me FMN-në
Qeveria e Kosovës filloi konsultimet me Fondin Monetar Ndërkombëtar, me një takim sot në Ministrinë e Financave.
Ekipi i FMN-së do të qëndrojë në Kosovë deri më 30 mars, ku përveç Ministrisë së Financave do të kenë takime edhe me përfaqësuesit e institucioneve të tjera në Kosovë. Ministri i Financave, Avdullah Hoti ka pritur sot në takim delegacionin e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të kryesuar nga Jacques Miniane, me rastin e fillimit të vizitës së tyre në Kosovë. Ministri Hoti informoi delegacionin e Misionit të FMN-së mbi planin zhvillimor të qeverisë, për reformat ekonomike e fiskale të cilat dalin nga ky plan, si dhe për kornizën afatmesme të shpenzimeve. Ministri Hoti informoi përfaqësuesit e delegacionit të Misionit të FMN-së edhe mbi vendimet e fundit të Qeverisë së Kosovës për ndryshimin e ligjeve të cilat kanë të bëjnë me tatimin mbi vlerën e shtuar, tatimin në të ardhurat personale dhe tatimin në të ardhurat e korporatave. Ai po ashtu konfirmoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëpunim sa më të ngushtë me FMN-në.
Ndërsa shefi i Misionit për Kosovën, Jacques Miniane vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm dhe shprehën përkushtimin e FMN-së për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.