Qeveria e Kosovës kundërshton vendimin e Gjykatës Supreme për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ mbi pajisjet fiskale
Qeveria e Republikës së Kosovës ka reaguar ashpër ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Supreme, e cila ka shfuqizuar Udhëzimin Administrativ Nr. 01/2025 për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve dhe softuerëve fiskalë. Sipas arsyetimit të Gjykatës, udhëzimi ishte miratuar nga një qeveri dhe ministër në detyrë, që sipas saj nuk kishin kompetenca për nxjerrjen e akteve të tilla nënligjore.
Në një deklaratë zyrtare, Qeveria e Kosovës ka vlerësuar vendimin si të pabazuar ligjërisht dhe të nxitur nga një interpretim arbitrar e njëanshëm i dispozitave ligjore. Ajo thekson se neni 31 i Ligjit për Qeverinë nuk ndalon qeveritë në detyrë nga miratimi i akteve zbatuese, siç është rasti me këtë Udhëzim Administrativ, por kufizon vetëm ndërmarrjen e vendimeve madhore, si marrëveshje ndërkombëtare, projektligje apo strategji të reja.
Qeveria ka nënvizuar gjithashtu se procesi për hartimin e këtij udhëzimi kishte filluar më 20 nëntor 2024, kur ajo kishte mandat të plotë kushtetues dhe ligjor, duke i dhënë dokumentit legjitimitet të plotë institucional.
Sipas ekzekutivit, vendimi i Gjykatës Supreme bie ndesh me logjikën kushtetuese, pasi nga njëra anë e njeh ekzistencën e një qeverie në detyrë, por nga ana tjetër i mohon asaj kompetenca që ligji nuk i ndalon. Kjo, sipas Qeverisë, krijon kontradikta të rrezikshme për sigurinë juridike dhe pengon funksionimin e pandërprerë të institucioneve.
Në lidhje me pretendimin për një konflikt funksional mes ministrit në detyrë dhe një pozite të mundshme parlamentare, Qeveria ka rikujtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese KO124/25, ku thuhet se Kuvendi i Kosovës ende nuk është funksionalizuar për shkak të moszgjedhjes së Kryetarit dhe Nënkryetarëve, duke përjashtuar kështu mundësinë e një konflikti funksional.
Qeveria ka theksuar përkushtimin e saj ndaj respektimit të rendit kushtetues dhe ligjor, duke kërkuar që vendimet e institucioneve të drejtësisë të bazohen në standarde të qarta ligjore, dhe jo në interpretime politike ose të njëanshme.
Në përfundim, ekzekutivi ka njoftuar se do të shfrytëzojë të gjitha mjetet juridike për të rivendosur ligjshmërinë dhe funksionimin demokratik të institucioneve.
KOHA JONË SONDAZH

