Qeveria e Kosovës, sot në mbledhjen e 66-të diskuton projektigje të rëndësishme

 

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, zhvillon sot mbledhjen e 66-të, mbase të fundit për këtë vit, pas të djeshmes ku miratoi disa projektligje dhe mori vendime të tjera të rëndësishme. Mbledhja e sotme mbahet një ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pas kërkesës që i është bërë të vlerësojë përputhshmërinë e dokumentit të emërtuar “Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë – parimet e përgjithshme/elementet kryesore”. Gjykata ka vendosur se, “këto Parime nuk janë tërësisht në përputhje me standardet kushtetuese përkatëse dhe ka konkluduar se akti ligjor i qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti duhet të jenë në përputhje”.
Në një deklaratë mbrëmë, qeveria e Republikës së Kosovës zotohej se, “do ta zbatojë me përpikëri vendimin e Gjykatës Kushtetuese në fazat që ndërlidhen me hartimin e Statutit dhe të Dekretit të Asociacionit”. Qeveria e Republikës së Kosovës, me këtë rast, ftoi gjithë spektrin politik, përfshirë partitë opozitare, që të respektojnë këtë vendim, i cili është në përputhje edhe me vetë Marrëveshjen e Parimeve, në të cilën ishte paraparë tekstualisht që e njëjta të shqyrtohej nga ana e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. “Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se është jetike për vendin që të përmbushen kërkesat ligjore dhe që të gjithë aktorët politikë t’i rikthehen jetës institucionale dhe debateve politike, të cilat duhet të zhvillohen brenda institucioneve, e në radhë të parë brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës”, theksonte deklarata. Në 30 tetor 2015, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga i ka drejtuar Gjykatës Kushtetuese kërkesën për interpretimin e përputhshmërinë së parimeve të asociacionit me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Presidentja Jahjaga e ka referuar këtë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese duke u bazuar në kompetencat e saj kushtetuese për të ngritur çështje kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese, bënte të ditur njoftimi dërguar nga Presidenca kosovare, raporton ATSH. 

SHKARKO APP