Qeveria e Kosovës: Sulmet e VV-së nuk mund të na ndalin drejt shtetit ligjor
Qeveria e Republikës së Kosovës dënon sulmin ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa , të kryer sot nga aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në reagim thuhej se qeveria e Republikës së Kosovës e gjykon të papranueshme dhe me pasoja të dëmshme për shtetin e Kosovës çdo formë të dhunës të ushtruar mbi institucionet dhe përfaqësuesit legjitim të Republikës së Kosovës dhe fton organet e rendit dhe të drejtësisë që të ndërmarrin të gjitha masat për të garantuar një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, mbetet e përkushtuar për debat konstruktiv politik, brenda institucioneve të Republikës së Kosovës, me të gjithë përfaqësuesit politikë dhe të shoqërisë civile, dhe siguron qytetarët e Kosovës se ngjarjet e tilla nuk do të mund të na ndalin në misionin tonë për zhvillim ekonomik, shtet ligjor dhe integrime euroatlantike”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kosovës.