Qeveria e re e Kosovës, Albin Kurti deklaron se do ti shërbejë Beogradit
Një ditë pas votimit të Qeverisë se re, Lëvizja Vetëvendosje nisi sulmet ndaj saj, duke e quajtur këtë qeveri si të Prishtinës dhe Beogradit.
Albin Kurti tha se PDK dhe LDK u bashkuan për t’iu nënshtruar të djathtëve shovinistë e antishqiptarë në Serbi, të cilët synojnë federalizmin e Kosovës, nën shembullin e Bosnje-Hercegovinës.
“Përmbajtja e marrëveshjes me Listën Serbe tregon qartë synimin për federalizimin e Kosovës, duke e ndarë sistemin e saj politik, duke krijuar paritet në çdo udhëheqje institucionale, dhe duke e formuar me shpejtësi Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Bosnja dhe Hercegovina është një shtet që nuk është Republikë, por brenda e ka Republikën serbe që nuk është shtet. Republika e Kosovës po bëhet një jo-shtet i cili do ta ketë brenda shtetin e Serbisë ende të pa shpallur republikë. Gati shtatë vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës po kthehemi ne gjendjen që e parashihte formula e Serbisë për Kosovën, më shumë se autonomi, më pak se pavarësi”.
Për Kurtin, me këtë koalicion qeverisës Kosova ka pak gjasa të përparojë dhe prej kësaj do të përfitojë më tepër Beogradi.
“Të djathtët që thanë se u bashkuan natyrshëm, njësoj, pra natyrshëm, po ju nënshtrohen të djathtëve më të fuqishëm në Serbi, tamam sikurse në natyrë ku fuqia është ligji. Nga këta të djathtë që u bashkuan në Kosovë mund të presim vetëm ndarje të mëtutjeshme të Kosovës e varfërim të mëtutjeshëm të popullit të saj. Atyre qysh në fillim më shumë po ua sheh hairin Beogradi sesa Kosova”.
Kryetari i Vetëvendosjes kritikoi edhe faktorin ndërkombëtar në ditën kundër korrupsionit, duke i kërkuar që të mos flasë për korrupsionin në vend, ndërkohë që mirëpret koalicionin e ri , që sipas tij është shembulli më i mirë i korrupsionit.