Qeveria “Kurti”, 6 ministra nga Vetëvendosje, 6 nga LDK

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës pritet që nesër të nënshkruajnë marrëveshje për formimin e një koalicioni qeverisës.
Gazeta Express raporton se Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pritet të japë dorëheqje nga posti i tij, për t’i hapur rrugë formimit të koalicionit VV-LDK. Raportimin e ka konfirmuar anëtari i VV’së, Agim Bahtiri, i cili ka thënë se Konjufca do ta lëshojë postin që e mori vetëm një muaj më parë. Ndërkohë, nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, i cili thuhet se po luan rol vendimtar në arritjen e marrëveshjes VV-LDK, ka paralajmëruar se koalicioni do të nënshkruhet të dielën, më 2 shkurt.
Në qeverinë e re të Kosovës, të cilën do ta udhëheqë kreu i VV-së, Albin Kurti, do të jenë gjashtë ministra nga radhët e partisë së tij.
LDK-ja do t’i ketë po ashtu gjashtë ministra në Qeverinë Kurti, ndërsa tri ministri do të udhëhiqen nga përfaqësues të pakicave në vend. Mësohet se dy partitë kanë vendosur që për postin e presidentit të vendit – mosmarrëveshjet rreth të cilit e kanë bllokuar prej muajsh marrëveshjen mes tyre – të diskutojnë në të ardhmen.
Më 3 shkurt, e hënë, është caktuar që të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës për votimin e qeverisë së re të vendit. Kryesia e Kuvendit ka miratuar kërkesën për seancë, të bërë nga Kurti, i cili është mandatar për formimin e kabinetit të ri qeverisës.

SHKARKO APP