Qeveria nuk ka “njoftime zyrtare” për vendimet e Listës Serbe për ‘ngrirje’ të punës
Autoritetet në Prishtinë thonë se nuk kanë marrë “asnjë shkresë zyrtare nga partnerët në koalicionin qeverisës, Lista Serbe” për vendimin” për, siç thuhet, “ngrirje të pjesëmarrjes në institucionet e vendit”.
Zëvendësministri i pushtetit lokal në Qeverinë e Kosovës, Bajram Gecaj,thotë për Radion Evropa e Lirë, se “nuk ka indikacione zyrtare për hapat e Listës Serbe” të njoftuara gjatë ditës në mediat lokale.
“Do të shohim se çfarë po ndodh nesër, nëse do të kem paralajmërim zyrtar për këtë. Tani për tani e kemi atë që po e shohim nëpër media që ata kanë deklaruar se do të ngrijnë marrëdhëniet me institucionet e Kosovës. Nëse kjo është e vërtetë, ne duhet të marrim diçka me shkrim prej tyre, e pastaj do të ulemi të bisedojmë dhe të shohim si do të merremi me këtë çështje”, thotë për Radion Evropa e Lirë Bajram Gecaj, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal i Qeverisë së Kosovës.
Deklarata e Gecajt erdhi pas vendimit të zëvendëskryeministrit Branimir Stojanoviqdhe dy ministrave serbë në Qeverinë e Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, që të “ngrijnë” pjesëmarrjen e tyre në punën e Qeverisë së Kosovës, në komisionet ndërqeveritare dhe në organet e tjera qeveritare, me vlerësimet se “pjesëmarrja në to do të ishte vetëm formale dhe jo edhe thelbësore”, thuhet në një kumtesë të përbashkët të zyrtarëve qeveritarë.
“Nuk mund të pranojmë që partitë shqiptare në pushtet me pjesëmarrjen tonë po ‘luajnë’ rolin e demokracisë. Angazhimi ynë do të drejtohet kryesisht në aktivitetet që do të ndihmojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve serbë në Kosovë”, thuhet në një kumtesë të përbashkët.
Në kumtesë, zëvendëskryeministri dhe ministrat serbë të Qeverisë së Kosovës, thonë se “Qeveria e Kosovës ua ka pamundësuar pjesëmarrjen në procesin e vendimmarrjes për temat që janë jetike për pozitën e popullit serb”.
“Duke na pamundësuar të drejtën për të marrë pjesë në zgjidhjen e drejte dhe të arsyeshme të fatit të Kombinatit ‘Trepça’, dhe në shumë vendime të tjera, marrëveshja për koalicion është shkelur dhe Listës Serbe i është bërë me dije se nuk duhet ta shohë veten si pjesë të koalicionit qeverisës”, thuhet në kumtesë.
Më herët gjatë ditës së diel, deputetët e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës kanë bërë me dije përmes një kumtese se, po ngrijnë pjesëmarrjen e tyre në punën e Kuvendit. Ata kanë deklaruar se “në emër të interesave të popullit serb dhe demokracisë me neveri e hedhin poshtë dhunën politike dhe juridike të parlamentit kosovar” për çështjen e Trepçës.
Deputetët serbë, në kumtesë thonë se “nuk e njohin asnjë vendim lidhur me çështjen e Trepçës, i cili është miratuar pa marrëveshje me përfaqësuesit politikë të serbëve”. / Marre nga REL