Qindra vullnetarë janë bashkuar në luftën kundër COVID-19 në Kosovë
Rreth 485 mjekë, infermierë, studentë, punëtorë socialë e të shërbimeve të tjera janë duke shërbyer vullnetarisht nëpër institucionet shëndetësore dhe në terren kudo që ka nevojë, për t’u dalë në ndihmë të gjithë atyre që kanë nevojë në luftimin e sëmundjes ngjitëse COVID-19 në Republikën e Kosovës.
Vullnetarët e angazhuar, po shërbejnë në komuna të ndryshme dhe nga nacionalitete të ndryshme, ku rreth 135 janë të angazhuar përmes Ministrisë së Shëndetësisë, dhe në terren janë rreth 250 vullnetarë të tjerë të Kryqit të Kuq të Kosovës, kurse 85 të tjerët, Kryqi i Kuq i Kosovës i ka trajnuar për organizimin e kurseve virtuale.
Deri më tani, në Ministrinë e Shëndetësisë, janë paraqitur rreth 400 vullnetarë të gatshëm për të nisur punën, por kërkesat në terren nga institucionet qendrore e komunat kanë qenë vetëm për 135 prej tyre.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, kanë thënë se deri më tani ky numër është i mjaftueshëm.
Rreth 135 janë angazhuar, sipas kërkesave që i kanë bërë institucionet qendrore, komunat dhe shërbimet e ndryshme të kyçura në menaxhimin e situatës rreth Covid-19. Për momentin po mjaftojnë edhe pse lista është dinamike dhe ndryshon çdo ditë.
Komisioni i veçantë në Ministrinë e Shëndetësisë, që menaxhon listën e vullnetarëve, i ka sistemuar ata sipas profileve, thotë Hoti, ndërsa priten kërkesat nga institucionet në mënyrë që të angazhohen edhe pjesa e mbetur, kurdo që ka nevojë.
Ministria e Shëndetësisë ka një komision që menaxhon me listën e tyre, i ka të sistemuar sipas profileve, sipas komunave nga vijnë dhe karakteristikave të tjera dhe kudo që paraqitet ndonjë kërkesë nga institucionet apo komunat, vullnetarët kontaktohen, merret miratimi i tyre dhe angazhohen. Një numër i konsideruar i tyre është angazhuar në shërbimet e Karantinës në Qendrën e Studentëve, pastaj në Klinikën Infektive të QKUK, në IKSHPK, në QKMF nëpër komuna dhe në shërbime të tjera.
Ndërsa, Kryqi i Kuq i Kosovës, pas paraqitjes së COVID-19 i ka pezulluar të gjitha aktivitetet e saja të planifikuara, dhe ka mobilizuar të gjitha kapacitetet e veta njerëzore dhe logjistike për të ju ofruar ndihmë familjeve në nevojë.
Për aktivitetin e shpërndarjes së pakove ushqimore, higjienike nga Kryqi i Kuq i Kosovës janë mobilizuar 250 vullnetarë për tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Shpërndarja e pakove ushqimore e higjienike është bërë dhe po vazhdon të bëhet me fokus të veçantë në komunitetin rom, dhe në zonat e izoluara, duke mos lënë anash as pjesën veriore të vendit.
Zyrtari për Media dhe Komunikim në Kryqin e Kuq të Kosovës, Armend Shala tha se me mijëra pako ushqimore e higjienike tashmë janë shpërndarë nëpër gjithë territorin e Kosovës, ndërsa kanë përkrahur edhe Qendrën e Studetentëve,e cila tashmë po shfrytëzohet si hapësirë karantine.
Gjatë shpërndarjes së pakove, fokus të veçantë kemi pasur komunitetin rom, vendbanimet e izoluara për shkak të COVID-19, si dhe familjet në zonat e thella rurale duke përfshirë edhe vendbanimet në pjesën veriore të Kosovës. Deri në këtë moment janë shpërndarë 9850 pako Ushqimore dhe 7696 pako higjienike, lodra dhe vizatime për fëmijë, dhe shpërndarja vazhdon shtëpi për shtëpi. Gjithashtu, Kryqi i Kuq i Kosovës ka përkrahur Qendrën e Studentëve ( karantinë), Qendrën e Azilkërkuesve Magure, me pako higjienike. Kemi vendosur 15 tenda të vogla për triazhim para Qendrave të Mjekësisë Familjare në komuna të ndryshme.
Përveç pakove higjienike po bën përgatitjet teknike me vullnetarët të cilët i ka trajnuar për programe të tjera për organizimin e kurseve virtuale, në të cilat marrin pjesë rreth 85 vullnetarë.
Kryqi i Kuq i Kosovës, ka të trajnuar vullnetar edhe për programe tjera. Gjatë kësaj kohe jemi duke bërë përgatitjet teknike për organizimin e kurseve virtuale me temat e edukimit shëndetësor të familjes, vetëdijesimin e popullatës për rrezikun nga COVID-19, komponentën e dhunës në baza gjinore nga pakoja MISP (Pako minimale fillestare për shëndet riprodhues). Për këto aktivitete janë të angazhuar 60 trajnerë të edukimit shëndetësor dhe 25 trajnerë të rinisë për Shëndet Riprodhues, duke përfshirë të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.
Por, kapacitetet e Kryqit të Kuq të Kosovës shkojnë përtej këtyre numrave, sipas Shalës, ata kanë kapacitet për dyfishim e trefishim të vullnetarëve të të gjitha profileve.
Në rast të paraqitjes së nevojës, Kryqi i Kuq i Kosovës ka kapacitete për dyfishimin edhe trefishimin e vullnetarëve të të gjitha profileve. Megjithatë Kryqi i Kuq i Kosovës çdo here i ka dyert e hapura për të gjithë ata që dëshirojnë që të jenë pjesë e jona përmes vullnetarizmit.
Paraprakisht, për të gjithë vullnetarët që po qëndrojnë në vijën e parë të frontit janë marrë të gjitha masat mbrojtëse për stafin dhe vullnetarët të cilët janë direkt të ekspozuar ndaj rrezikut me COVID-19.
Ndërkaq, në njoftimin e fundit Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka bërë të ditur se numri i të infektuarve me COVID-19, ka arritur në 480 persona, teksa 12 nga të infektuarit të cilët kanë pasur edhe sëmundje shoqëruese kanë vdekur, ndërsa 84 janë shëruar.