Quint: Të pezullohet vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për çështjen e dinarit serb

Ambasadat e pesë vendeve kryesore perëndimore i kërkuan të dielën autoriteteve në Kosovë pezullimin e zbatimit të rregullores së Bankës Qendrore sipas së cilës euroja do të jetë monedha e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme në vend.

Në një komunikatë të përbashkët, shefat e misioneve të Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Francës, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar thanë se pezullimi do të mundësonte një periudhë të mjaftueshme tranzicioni për komunikim të qartë dhe efektiv publik ndërsa theksuan se çështja duhet të diskutohet më tej në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Ne jemi të shqetësuar për ndikimin e rregullores në veçanti në shkollat dhe spitalet, për të cilat asnjë proces alternativ nuk duket i zbatueshëm për momentin.

Rregullorja gjithashtu do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës dërrmuese të serbëve të Kosovës që marrin pagesa apo ndihma financiare nga Serbia”, thuhet në komunikatë.

Kërkesa e ambasadorëve pasoi takimin e së premtës me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti ku pjesë e diskutimeve ishte edhe çështja e rregullores së Bankës Qendrore.

SHKARKO APP