Radikalizmi fetar ka prekur edhe shqiptarët e diasporës

Nga: Arbana Xharra

Para pak ditësh me pyeti një e huaj, pse këta kosovarë u radikalizuan dhe një pjesë e tyre shkuan në Siri? Një nga faktorët i përmenda edhe izolimin, “s’kemi as një derë hapur, ka 25 vjeçar që nuk kanë dalë asnjëherë nga Kosova”, i thash duke i numëruar pasojat e mosliberalizimit të vizave.

Ajo më ktheu me të shpejtë; “I don’t buy it”, nuk e pranoi këtë argument. Përmendi shqiptarët në diasporë, rastet për të cilët po raportohen. “Pse të izoluar keni shqiptarët në diasporë që po kapen si planifikues të sulmeve terroriste?”, ma ktheu ajo.

Policia gjermane paska arrestuar dy kosovarë të dyshuar se po planifikonin sulm terrorist në Gjermani. Këta shqiptarë, s’janë as të izoluar dhe as të varfër. Pra, arsyetimi i izolimit bjen poshtë.

Raportet ndërkombëtare na nxjerrin me numrin më të madh të të radikalizuarve me kokë banori. Arrestimi i dy vëllezërve kosovarë është tregues se radikalizmi ka prekur edhe shqiptarët në Evropë. Më 2 mars 2011 në aeroportin e Frankfurtit kosovari Arid Uka, një ekstremist i ri islamik, vrau dy ushtarë amerikanë.

Para dy ditësh doli edhe një raport amerikan i cili vlerësonte Kosovën si vend të përshtatshëm për rekrutim.

Qysh në 2012 me emra e mbiemra, hartën e rekrutuesve iu kam bërë të ditur publikisht se kush janë në Kosovë radikalet islamist, lidhjet me ekstremistet në Maqedoni, influenca nga Serbia, kontaktet dhe udhëtimet e shpeshta të disa hoxhallarëve në Serbi.

Këto të dhëna i ka ditur policia e Kosovës, por nuk ka pasur disponim politik për tu marrë me këtë fenomen. Në Parlamentin e Kosovës, dy tre deputete femra dhe ish presidentja Atifete Jahjaga kanë folur për rritjen e ekstremizmit. Burrat e patën shti kokën në rërë. Sepse kalkulonin ne vota edhe ende një numër i madh i tyre i kanë cak xhamitë kur nisë fushata! /Zëri/

SHKARKO APP