Radio Televizioni i Kosovës merr urdhër të dalë nga selia
Agjencia e Privatizimit në Kosovë i ka dhënë një ultimatum Radio Televizionit të Kosovës që të largohet nga ndërtesa që po përdor brenda pesë ditësh, duke pretenduar se është përdorur në mënyrë të paligjshme.
Nga Erjone Popova, BIRN
Agjencia e Privatizimit në Kosovës tha të hënën se nëse RTK nuk largohet vullnetarisht nga ndërtesa në të cilën ka bazën, do të përdorë policinë për ta nxjerrë jashtë sepse ka uzurpuar në mënyrë të paligjshme pronën e Radio Televizionit të Prishtinës, tani jashtë funksionit.
“Asetet e Radio Televizionit të Prishtinës po përdoren aktualisht nga RTK dhe sipas të dhënave të disponueshme dhe Agjencisë së Privatizimit në Kosovë ndërtesat zotërohen nga RTP,” tha Agjencia.
Radio Televizioni i Prishtinës ishte stacioni televiziv i Kosovës përpara luftës dhe nuk transmeton më. RTK ka përdorur ndërtesën që nga viti 1999, kur u themelua.
Agjencia e Privatizimit gjithashtu urdhëroi RTK të paguajë qiranë nga periudha e përdorimit të ndërtesës.
Nëse kjo nuk ndodh, RTK duhet të lërë ndërtesën brenda pesë ditëve.
Drejtori i përgjithshëm i RTK, Mentor Shala këmbënguli megjithatë se televizionit publik iu dha ndërtesa nga misioni i OKB në Kosovë, UNMIK dhe kështu që nuk po përdoreshin ilegalisht.
Ai tha se udhëri nga Agjencia e Privatizimit ishte për t’i bërë presion dhe se qeveria po përpiqet të na thotë “ta mbyllim gojën dhe të mos kërkojmë për rritje buxheti sepse mund të na nxjerrë lehtësisht nga ndërtesa”.
Bordi i RTK tha gjithashtu se vendimi i Agjencisë së Privatizimit duhet të rimerret në konsideratë.
“RTK si një institucion publik, i ngjashëm me të gjithë institucionet e tjera, meriton një pronësi dhe një ndërtesë ku të mund të funksionojë sipas ligjit, duke marrë parasysh interesat më të mira të publikut”, tha bordi i RTK në një deklaratë.