Rama dhe Vuçiç takim, ku flasin për Kosovën , por pa Isa Mustafen
Në samitin e Parisit, kryeministri shqiptar, Edi Rama pati një takim vetëm me kreun e qeverisë serbe, Aleksandër Vuçiç. Takimi u mbajt i fshehtë për mediat nga qeveria shqiptare, por u publikua në faqen e internetit të qeverisë serbe, e shoqëruar edhe me foton përkatëse. Në pamundësi për t’iu referuar njoftimit të qeverisë shqiptare për takimin, vlen të thuhet se kryeministri serb ka qenë shumë i qartë në kërkesat e tij.
Në njoftimin zyrtar të qeverisë serbe, thuhet se bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve ishte tema kryesore e bisedës mes Ramës dhe Vuçiç. Bie në sy kërkesa e Vuçiç për Ramën, sipas të cilës kompanitë serbe të ndërtimit kërkojnë më shumë akses për të investuar në bregdetin shqiptar. Mbetet mister përgjigjia e kryeministrit shqiptar Edi Rama përderisa, ai vetë nuk ka preferuar ta përfshijë në njoftimet për median.
Pavarësisht se ishte një takim mes kryeministrit të Shqipërisë dhe atij të Serbisë, Vuçiç ka marrë përsipër të flasë me Ramën për disa nisma në Kosovë. Kryeministri serb i ka shprehur Ramës rëndësinë e ndërtimit të autostradës Nish-Prishtinë, po ashtu edhe nismën për një linjë ajrore direkte Beograd- Prishtinë. “Sipas statistikave, shumë pasagjerë që udhëtojnë nga Beogradi drejt Nju Jorkut, vijnë nga Kosova dhe Shqipëria”, mësohet të ketë thënë Vuçiç, për të justifikuar kërkesën e tij. Po në bisedë me Ramën, Vuçiç është shprehur se kjo do ta kthente Beogradin një qendër rajonale.
Nuk është e qartë përse zyra e shtypit e kryeministrisë e mbajti të fshehtë këtë takim. Nuk dihet po ashtu, si ka qenë përgjigjia e kryeministrit shqiptar kur është folur për nismat që prekin Kosovën, por vlen të përmendet se kryeministri kosovar, Isa Mustafa ishte vetë në Samitin e Parisit, por është shpërfillur, pavarësisht se flitej për Kosovën.