Kryeministri Rama në OKB: Njihni Kosovën, Asambleja jonë është e paplotë pa Republikën e Kosovës

Pas disa vizitave të sukseshme në New York, kryeministri Edi Rama ka mbajtur një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Sesioni i 76-të, ku bëri thirrje për njohjen e Kosovës.

“Megjithatë, kjo Asamble e madhe nuk do të jetë e plotë pa një prej shteteve të rajonit tonë, Republikën e Kosovës. Më keni dëgjuar më shumë se njëherë këtu të bëj thirrje për njohjen e Pavarësisë së Kosovës. Nuk është opsesion, por ftesë për të njohur realitetet e reja në zemër të Evropës, në Ballkanin Perëndimor ku një shtet i ri lindi me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare. Kjo punë duhet të përfundohet. Dua ta theksoj, ta përsëris thirrjen, sepse realiteti na ka treguar neve, kosovarëve, serbëve, të gjithë ballkanasve, se një Kosovë e pavarur, e sovrane, është një realitet që vazhdon prej 13 vitesh dhe ka sjellë shumë paqe në rajon, ka kontribuar që të shkëputemi nga e shkuara e hidhur. Është pjesë e së ardhmes së përbashkët të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria mbështet si alternativë të vetme dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si e vetmja mundësi për të sjellë njohjen e ndërsjellë mes dy shteteve. E them me bindje absolute, vetëm maturia, kurajoja dhe vizioni do ta lejojë më në fund Serbinë të heqë barrën e së shkuarës”, tha kryeministri Rama”, deklaroi Rama.

Po ashtu kryeministri Rama tha se si anëtar të Këshillit të Sigurisë, Shqipëria propozon një traktat të ri ndërkombëtar.

“Jemi avokatë të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe mbështesim propozimin për një traktat të ri ndërkombëtar. Ne duhet të qëndrojmë bashkë dhe t’i rezistojmë çdo tubimi. Është urgjente të ofrojmë vaksina, sepse të pavaksinuarit mbartin rrezikun dhe mund të kthejnë pas atë që kemi fituar deri tani”.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, e ka mbyllur fjalën e tij në Asamblenë e OKB me thënien e të madhes Nënë Tereza, duke u duartrokitur nga gjithë të pranishmit.

Teksa foli për pranimin e emigrantëve afganë në Shqipëri, Rama u shpreh se “Ashtu si Nënë Tereza ka thënë ‘Edhe kur nuk bën dot gjëra të mëdha, bëj gjëra të vogla, por me dashuri të madhe’. Ne po bëjmë pjesën tonë”.

Më tej, kryeministri i Shqipëri deklaroi se “Tani dua të them dy fjalë për Afganistanin. Është detyra jonë të bëjmë diçka për të mos braktisur popullin afgan, që e gjen veten edhe njëherë në udhëkryq. Ndërkohë që ngjarje dramatike zhvilloheshin para syve tanë, nuk mund të rrinim duarkryq. Bëmë atë që kemi bërë në momente të tjera kritike të historisë sonë, kur shpëtuam mijëra viktima të Holokaustit, apo kur mirëpritëm gjysmë milioni vëllezër e motra kosovarë, që i shpëtonin ferrit të spastrimit serb. Në këtë jetë ka një kohë kur merr, e një kohë kur jep”- theksoi ndër të tjera kryeministri Rama.

SHKARKO APP