“Rama synon një mandat tjetër duke shkelur mbi gjakun e shqiptarëve”
Lëvizja Vetëvendosje e Kosovës i ka propozuar Kuvendit të Shqipërisë miratimin e një rezolute e cila synon të dënojë gjenocidin serb.
I ftuar në një intervistë për Ora News Hysamedin Feraj, anëtar i bordit të Lëvizjes Vetëvendosje u shpreh se kjo rezolutë nuk po gjen mbështetje nga Kuvendi i Shqipërisë duke akuzuar Partinë Socialiste se do ta përdorë rezolutën në luftën kundër opozitës dhe se Kryeministri Rama synon një mandat tjetër duke shkelur mbi gjakun e viktimave shqiptare.
Feraj: Rezoluta në fjalë është që Kuvendi i Shqipërisë të njohë luftën e Serbisë, si një luftë gjenocidale të kryer nga shteti serb në mënyrë të organizuar, të vetëdijshme, të planifikuar, kundër popullsisë shqiptare, popullit shqiptar, në trevat e Kosovës por dhe më gjerë sepse ka depërtuar madje dhe brenda kufijve të Shqipërisë gjatë luftës.
Fatkeqësisht nga diskutimet e sotme në Kuvend, Kryetari i Kuvendit nuk i ka njoftuar deputetët për mbërritjen e kësaj rezolute në Kuvend. Nga diskutimet që u bënë aty duket se vetë propozimi ynë për këtë rezolutë do të përdoret nga shumica, Partia Socialiste, për luftën e brendshme politike dhe jo për interesa kombëtare duke e emërtuar luftën e Serbisë ashtu siç ka qenë. Në diskutimin e Taulant Ballës u shmang rëndësia që ka rezoluta e tillë dhe u kthye në luftën kundër opozitës në Shqipëri dhe kundër Lulzim Bashës në garën për zgjedhjet e ardhshme dhe keqpërdorimin e luftës së popullit shqiptar për pavarësi.
Jemi shumë të shqetësuar nëse Kryeministri i Shqipërisë, po përpiqet për një mandat tjetër duke shkelur mbi gjakun e viktimave shqiptare, duke shkelur mbi gjakun e të përdhunuarave, e fëmijëve të vrarë, e të zhdukurve për të siguruar vetes dhe një mandat tjetër. Sepse ne shohim që me gjithë retorikën e tij të ngritur kundër kryetarit të opozitës Lulzim Basha për fshehjen e një kasete që dokumenton krimet e Serbisë ne Krushe nuk pranon të miratojë një rezolute nga Kuvendi që ti vendose emërtimin njëherë e mirë luftës që ka zhvilluar shteti serb kundër shqiptarëve.
Ndërkohë që përsa i përket përballjes së lidershipit të UÇK në Hagë, Feraj tha se nuk ka besim te drejtësia ndërkombëtare dhe procesin e sheh si një gjyq politik, ku prokurori i çështjes po përpiqet t’ i japë një drejtim politik gjithë procesit gjyqësor.