Ramush Haradinaj kthehet triumfator në Rinas: Ballkani po mësohet me ekzistencën tonë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj pas mesnatës zbriti në aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit, dhe preku tokën shqiptare pas dy ditëve ndalimi në Slloveni.
Lideri i AAK u ndalua në mënyrë të çuditshme nga policia sllovene sipas një fletë-arresti të Interpolit të lëshuar nga policia e Serbisë, në vitin 2006.
Nga aeroporti i Rinasit, Haradinaj, tha se: “Ne në Kosovë e kemi respektuar Slloveninë dhe nuk kemi bërë asnjë provokim kundrejt tyre. Ndërkohë, unë jam ndaluar në atë shtet nga një urdhër-arrest i lëshuar nga një shtet që nuk ekziston më. Kjo është një lojë e pisët dhe e padrejtë”.
Ai kritikoi edhe kryeministrin e Kosovës, Mustafa. “Deklarata e tij ishte e padrejtë. Ai bëri gabim që tha 'është ndaluar në bazë të ligjit', nëse për të është ligj urdhër-arresti i Serbisë dhe Cernagorës le të shkojë edhe ai të jetojë atje. Unë i jam përgjigj Tribunalit të Hagës dhe në atë kohë ne jemi lavdëruar se Kosova i kreu obligimet”, tha Haradinaj, i cili nuk la pa kritikuar as presidenten e Kosovës.
“Edhe Jahjaga gaboi që falënderoi Slloveninë për lirimin. Por çfarë mund të më bënin tjetër ata mua? Nga ky rast ne kemi nxjerrë edhe një mësim, pasi të gjithë në Ballkan tashmë u mësuan me ekzistencën tonë. Ne kemi ekzistuar gjithmonë, por na kanë menduar më të pavlefshëm”, tha Haradinaj nga Rinasi.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është nisur sot herët menjëherë për në Prishtinë.