Ramushi

Herën e kaluar, Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i Kryeministrit, pasi Gjykata e Hagës e kishte ngritur një aktakuzë kundër tij për krime lufte. Kësaj radhe, ish-komandanti i UÇK-së, është i ftuar në Gjykatën Speciale si i dyshuar, por ende nuk ka një aktakuzë. Ai ka mundur të rrijë edhe për një kohë në krye të qeverisë, edhe pse në pikën më të ulët të marrëdhënieve me partnerët e PAN-it dhe kumbarin e këtij koalicioni, Presidentin e Kosovës. I vetmuar në rezistencën për taksën ndaj Serbisë, i kritikuar nga evropianët dhe amerikanët për qëndrimin e tij ndaj dialogut, pa mbështetjen e partive qeverisëse dhe atyre opozitare që me ngulm e kërkonin largimin e tij nga pushteti, Ramush Haradinajt, i ishte ngushtuar rrethi.  Ai nuk e fshihte më pezmin ndaj ish-bashkëluftëtarëve, që sot mbajnë pozicionet kyçe në shtet. Hashim Thaçi e Kadri Veseli, gjithashtu mund të jenë në shënjestër të Gjykatës Speciale, por ftesa i erdhi, për të tretën herë, liderit të AAK-së, në një moment rezistence të këtij të fundit, ndaj presionit për një marrëveshje të dëmshme me Serbinë. Taksa i dha krahë Haradinajt, por Gjykata Speciale ia ndali hovin. Për shumëkënd, një Tribunal politik. Megjithatë, i votuar edhe nga vetë deputetë të partisë së Kryeministrit të dorëhequr.

I dëshpëruar dhe me lot që nuk i fshihte dot, kreu në largim i qeverisë, kërkoi zgjedhje të parakohshme. Ai e di mirë, se rruga për te sovrani, kalon nëpër zyrën e Hashim Thaçit.  Kushtetuta mundëson një mandatar të ri nga koalicioni fitues. PAN-i nuk i ka votat, sepse nuk mund të llogarisë më në deputetët e AAK-së. PDK-së mund t’i vijë në ndihmë LDK-ja.  Para disa muajsh, partia më e madhe parlamentare shprehu gadishmërinë për të hyrë në një qeveri të re, ku kryeministri do t’i takonte asaj. Shansin tani e kanë dhe ofertën me siguri në tavolinë. Por, ka një çmim për këtë skenar. Marrëveshja me Serbinë. Askush nuk është më shumë i gatshëm për një kompromis të ri sesa numri një i Republikës. Në sytë e ndërkombëtarëve, Thaçi mbetet i preferuar për pazarin e radhës. Në mungesë të një ftese nga Specialja, ai e mban timonin e dialogut disavjeçar që nuk e solli normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ish-kryetari i PDK-së, pritet të bëjë të pamundurën që të zgjedhë një kryeministër të ri, të gjejë partnerë, për ta shtyrë sa më tej datën e votimeve të jashtëzakonshme. Apo në rastin më të mundshëm, të zgjedhjeve të parakohshme, paraprakisht të bëjë marrëveshje, siç ka ndodhur më herët. LDK thotë se është për  zgjedhje, por mjafton ta kujtojmë kohën e Bllokut të famshëm, kur hyri në qeveri me Partinë Demokratike, për të mos besuar shumë në fjalët e Isa Mustafës. Në anën tjetër, i gatshëm për oferta është edhe Shpend Ahmeti, që ia ka grabitur gjysmën e deputetëve partisë së Albin Kurtit. E kush nuk do ta dëshironte në tavolinë, pozitën e Kryeministrit të Kosovës?! A nuk e mori ngjashëm edhe Ramush Haradinaj, kur ia bëri shërbimin e radhës, PDK-së së stërkonsumuar në pushtet? Një ditë para zgjedhjeve të qershorit, para dy vjetëve, ai ishte shprehur i rreptë ndaj çdo bashkëpartiaku që do të shfaqej afër njerëzve të Thaçit e Veselit.  Disa orë më vonë, para dorëzimit të listave të kandidatëve, nuk ka mundur t’i rezistojë ofertës kryeministrore. Lider autoritativ, por me pak pushtet ekzekutiv(vetëm dy ministri, edhe ato në duart e njerëzve të PDK-së), Haradinaj nuk arriti të shkëlqejë në krye të një megaqeverie, ku edhe deputeti më i papërfillshëm, mund ta kushtëzonte me kërkesa klienteliste, paligjshmëri dhe favore të padrejta. Ai u detyrua të shtyjë përpara Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, pa asnjë ndryshim, edhe pse kishte udhëhequr një sërë protestash, kishte bllokuar fizikisht me bombola gazi Kuvendin derisa erdhi në pushtet.  Duarlidhur nga partneri i madh, jo vetëm që nuk tentoi ta çkapë shtetin nga kthetrat e Hashim Thaçit e Kadri Veselit, por me aq sa mundi, u bë pjesë e kapjes. Treguesit e qeverisë Haradinaj në këta dy vjet janë depresivë në secilin aspekt.  Qëndrimi ndaj taksës, mbetet episodi i vetëm pozitiv, edhe pse prodhimi vendas nuk u rrit, çmimet u shtrenjtuan, Kosova u izolua edhe më shumë, liberalizimi i vizave nuk ndodhi dhe mijëra njerëz e braktisën vendin, të lodhur nga keqqeverisja, korrupsioni, nepotizmi, padrejtësitë, pasiguria. Ramush Haradinaj, megjithatë ishte një Kryeministër i ligjshëm i Republikës. Dorëheqja e tij për shkak të Gjykatës Speciale, është më e padëshirueshmja për secilin shqiptar që beson në vlerat e UÇK-së. Nëse politikës kosovare, i ka mbetur një fije ndërgjegje kombëtare, kjo është koha për unitet dhe jo makiavelizëm politik.  Vetëm kështu, mund të parandalohen skenaret e errëta të Thaçit-Vuçiqit-Ramës, në kurriz të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Syri.net

SHKARKO APP