Raporti i DASH- Kosova, vend tranzit për narkotikët drejt Evropës
Vetëm në periudhën ndërmjet janarit dhe shtatorit të vitit 2014, autoritetet e Kosovës kanë konfiskuar rreth 672 kilogram marihuanë, 21 kilogramë kokainë dhe më pak se dy kilogramë heroinë. Sipas KosovaPress, policia po ashtu ka konfiskuar mbi 5 mijë fara të kanabisit dhe mbi 3 700 bimë të marihuanës. Këto të dhëna janë të shënuara në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për luftën kundër drogave në botë, raport ky që vlerëson se Kosova mbetet vend tranzit për drogat që transportohen drejt Evropës, por nuk është burim i rëndësishëm i narkotikëve të paligjshëm.
Në raportin e DASH-it, thuhet po ashtu se Kosova bashkërendon përpjekjet e disa agjencive për luftën kundër trafikimit të narkotikëve dhe është duke zbatuar strategjinë kombëtare kundër drogave dhe planin veprues pesë vjeçar që synon zvogëlimin e ofertave dhe kërkesave për bashkërendimin e brendshëm dhe atë me partnerët ndërkombëtarë. Në raport thuhet se faktorët negative që ndikojnë në luftën e Kosovës kundër trafikimit të narkotikëve janë pozita e saj gjeografike bashkë me rrugët tradicionale të kontrabandës; integrimi jo i plotë i komunave veriore; ekonomia e varfër; mosnjohja nga disa vende të rajonit dhe sistemi jo i frytshëm i menaxhimit të kufirit.
Departamenti i Shtetit thekson se nuk ka raporte gjithëpërfshirëse që vlerësojnë përdorimin e drogave në Kosovë. Gjykuar nga informacionet në dispozicion, shumica e përdoruesve janë meshkuj dhe marihuana është zgjedhja e tyre.