Rashiç përgënjeshtron Qeverinë: S’i ka votat e Listës Serbe për demarkacionin
Ndonëse zyrtarët qeveritarë vazhdimisht janë duke deklaruar se i kanë votat e Listës Serbe për ta votuar Demarkacionin e Kosovës me Malin e Zi, këtë e mohojnë përfaqësues të kësaj partie. Nenad Rashiç, deputet i këtij subjekti politik, i ka quajtur të pavërteta pretendimet e qeveritarëve se i kanë siguruar votat e tyre, në mënyrë që të kalojë versioni aktual i demarkacionit.
I kontaktuar nga lajmi.net, deputeti i kësaj partie, Rashiq i ka hedhur poshtë deklaratat e bëra mbrëmë nga këshilltari i kryeministri Mustafa, Faton Abdullahu, ku ky i fundit u shpreh i sigurt se Lista Serbe do ta votojë shënjimin e kufirit me Malin e Zi, proces ky që po zvarritet më shumë se një vit. “Nuk është e vërtetë kjo” ka sqaruar Rashiq duke mos i komentuar më shumë deklaratat e bëra nga këshilltari i kryeministrit Mustafa.
Demarkacioni dështoi të ratifikohej më 1 shtator pasi kryeministri Mustafa e tërhoqi nga rendi i ditës votimin e tij me arsyetimin se nuk ka pasur kushte. Madje për këtë u fajësua edhe Lista Serbe e cila mungoi në atë seancë. Kjo e fundit vazhdimisht në deklaratat e tyre ka thënë se asnjëherë nuk janë ftuar nga koalicioni qeverisës për të biseduar rreth kësaj çështje, që nga dita kur edhe është votuar Hashim Thaçi për president. Ndërkohë, qeveria shprehet e bindur se i kanë votat për ta kaluar Demarkacionin.