Rasti “Karaçeva”/ Policia e Kosovës arreston edhe dy persona të tjerë
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar edhe dy persona në lidhje me rastin “Karaçeva”.
Në njoftim thuhet se në vazhdën e veprimeve operative të grupit hetimor në lidhje me rastin e njohur si “Karaçeva” hetuesit policor të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës sot kanë arrestuar edhe dy persona të dyshuar të cilët në ditën e realizimit të operacionit policor nuk janë gjetur në shtëpitë e tyre.
Policia bën të ditur se të dyshuarit janë arrestuar në dyshimet se; në vazhdimësi gjatë periudhës kohore 2019-2020 janë marr me veprën penale “kontrabandimin i mallrave” nga territori i Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, ku për pasojë i kanë shkaktuar dëme të mëdha buxhetit të shtetit, shkruajnë mediat e Kosovës.
Në njoftimin e Policisë bëhet e ditur se pas intervistimit ndaj të dyshuarve prokurori kompetent ka shqiptuar masën e ndalimit prej 48 orësh, për procedura të mëtejme ligjore.
Ndryshe, Njësia Speciale e Kosovës ka zhvilluar aksion të madh në zonën kufitare të Karaçevës, ditën e premte.
Policia kishte njoftuar se operacioni ka filluar si rezultat i një hetimi gati njëvjeçar të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Gjilan, lidhur me pretendimet për veprimtari të paligjshme, përfshirë bixhozin e paligjshëm, trafikimin me njerëz, trafikimin me armë, trafikimin me narkotikë, kontrabandimin e mallrave dhe aktivitete tjera kriminale.
Policia ka arrestuar deri tani 36 persona, në mesin e tyre 10 zyrtarë policorë, të cilët brenda afatit ligjor do të paraqiten para gjyqtarit të procedurës paraprake, janë sekuestruar aparate të lojërave të fatit, rreth 120 gjedhe, si dhe gjësende të ndryshme si prova materiale, që dyshohet të jenë përdorur në aktivitete kriminale.