Raundi i tretë i votimit për president. Thaçit i duhen 61 vota
Kanë dështuar dy raunde për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Tani është radha e raundit të tretë për votimin e dy kandidatëve për president derisa në sallën e Kuvendit janë aktualisht 83 deputetë. Në punimet e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, me rend dite vetëm zgjedhjen e Presidentit të Republikës, ka nisur tashmë raundi i tretë i votimit. Në këtë seancë vërehet pjesëmarrja edhe e deputetit të opozitës, Fisnik Ismajli.
Dy raundet e para dështuan, si rezultat i votave të pavlefshme dhe atyre për kandidatin jopretendent. Në raundin e dytë, asnjëri prej dy kandidatëve për President të Kosovës, Hashim Thaçi apo Rafet Rama, nuk mundën të siguronin 2/3-tat e votave, pasi rezultati ishte 64 pro Thaçit, 15 të pavlefshme dhe 2 pro Ramës.
Ndryshe nga raundi i parë, i dyti pa një deputet më pak të pranishëm, pas largimit të deputetit të Vetëvendosjes, Ilir Deda, i cili ishte i nominuar nga opozita edhe në komisionin e posaçëm për numërimin e votave. Në sallë ishin 81 deputetë të pranishëm, ndërsa që kreu i shtetit të zgjidhej në këtë raund duheshin 2/3-tat e votave, 80 gjithsej, në të kundërt shkohej në raundin e tretë, ku mjaftojnë 61 vota, apo 50% + 1.