Reagimi i fortë i Kosovës: Serbia po tallet me viktimat e luftës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka reaguar ndaj lirimit nga burgu të një serbi i dënuar për krime ndaj shqiptarëve, i cili është shpallur fajtor për vrasjen e 14 civilëve në Kosovë, mes të cilëve  edhe shtatë fëmijë.

Ai thotë se Serbia po vazhdon të tallet me viktimat e luftës në Kosovë dhe lirimi i kriminelit serb është dëshmi për këtë.

Miodrag Solaja u dënua për vrasjen e 14 civilëve gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999, duke përfshirë shtatë fëmijë të ekzekutuar në oborrin e një shtëpie. Ai u la i lirë muajin e kaluar, tre vite para se të përfundonte dënimin.

Postimi i Hoxhajt në Facebook:

Serbia në vazhdimësi po tallet me viktimat e luftës! Këtë e ka bërë në Bosnje e po vazhdon ta bëjë edhe me Kosovën! Këto ditë në Serbi është liruar nga burgu, tre vjet para përfundimit të dënimit, personi i cili është akuzuar dhe dënuar për vrasjen e 14 civilëve shqiptarë në Kosovë. Nga ky krim arritën të shpëtojnë pesë fëmijë, e në mesin e tyre edhe Saranda Bogujevci. Lirimi i kriminelit serb është dëshmi që Serbia po vazhdon të luaj me nervat e të gjithve në të gjitha planet, madje edhe atë ushtarak.

SHKARKO APP