Reagimi i serbëve kur mësuan për vdekjen e Rugovës
Në vitin 2006, AP kishte realizuar një kronikë në Beograd, ku kishte pyetur disa qytetarë për vdekjen e presidentit të atëhershëm të Kosovës, Ibrahim Rugova.
I pari që shihet duke u deklaruar në video është Oliver Ivanovic, i cili edhe atë kohë ishte një nga liderët e serbëve të Kosovës, shkruan lajmi.net.“Vdekja e z. Rugova do të shkaktojë një boshllëk të madh, jo vetëm në partinë e tij politike, por në të gjithë skenën politike shqiptare.
Frikësohem nga lufta për pushtet dhe se kjo luftë për pushtet mund të sjellë tensione dhe çdo tension është rrezik për serbët e mbetur në Kosovë. Kërkoj nga UNMIK-u dhe KFOR-i që të bëjnë më të mirën e tyre që të mbrojnë serbët në enklavat e izoluara”, kishte deklaruar Ivanovic.
Përveç liderëve serb, ishin pyetur edhe qytetarë të Beogradit.
“Reagimi im vjen si një qenie njerëzore dhe si qytetare e Serbisë dhe Malit të Zi dhe më vjen keq për humbjen e një jete. Ka gjasa që situata në Kosovë të ndryshojë dhe të radikalizohet me politikanët e mbetur atje, ky është opinioni im pasi pashë bashkëpunëtorët e Rugovës”, kishte deklaruar një qytetare në Beograd.
Ndërkohë, një qytetar tjetër u deklarua kështu:
“Nuk mendoj se vdekja e tij do të ndryshojë ndonjë gjë në Kosovë, ai ishte thjesht pjesë e një imazhi më të madh, dhe shqiptarët do të vazhdojnë me politikat e tyre drejt qëllimit final që e kanë, pavarësisë. Ai ishte thjesht pjesë e makinerisë”.