Rëndohet bilanci, një tjetër viktimë shqiptare në Izmir

Ambasada e Kosovës në Ankara, ka bërë me dije se është shënuar edhe viktima e dytë me origjinë nga Kosova si pasojë e tërmetit në Izmir të Turqisë. Sipas ambasadës, viktima është nga familja Dograyan, prej së cilës është konfirmuar edhe viktima e parë.

“Nga komunikimet e vazhdueshme, Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara është informuar se dy persona me origjinë nga Kosova nga familja Doğrayan në Izmir kanë ndërruar jetë si pasojë e tërmetit”,-thuhet në njoftimin zyrtar.

Sipas të dhënave të fundit, të paktën 37 persona kanë humbur jetën deri më tani nga tërmeti që tronditi Turqinë dhe Greqinë, ku 35 viktima janë shënuar në Izmir dhe dy në ishullin Samos. Ndërkohë raportohet se numri i të plagosurve ka shkuar mbi 820 persona. Operacionet e shpëtimit vijojnë të jenë delikate pasi qyteti i Izmirit është ende duke përjetuar pasgoditjet e tërmetit fatal.

SHKARKO APP