Reportazhi francez: Kosovarët jetojnë në stalla bagëtish
Qindra kosovarë po e lënë çdo ditë vendin e tyre. Të premten në mbrëmje, 30 janar 2015, në stacionin e autobusëve në Prishtinë afro 800 kosovarë kishin prerë biletat për tu larguar fillimisht drejt Serbisë e më pas drejt vendeve të BE.
Radhët e gjata e nxitimi për të ikur shkaktoi debate mes tyre dhe është dashur ndërhyrja e policisë
Por çfarë gjejnë kur shkojnë në vendet e Bashkimit Europian?
Televizioni “Francë 3″ i përshkruan si të tmerrshme kushtet në të cilat po qëndrojnë kosovarët në vende të improvizuara.
Eshtë një fermë në Francë, në Mulhouse, qytet në kufi me Zvicrën ku stallat e bagëtive janë kthyer në vendstrehim për qindra kosovarë, që po kërkojnë një jetë më të mirë.
Ata janë të detyruar të flenë në të tilla ambjente prej afro një muaji, ndërsa rreth 150 persona çdo ditë i telefojnë numrit të emergjencës për të kërkuar ndihmë për gjendjen e tyre.
Azilkërkuesit nga Kosova janë të detyruar të vetëushqehen dhe të gjejnë strehim sikur në këtë fermë, apo stacione trenash e autobusësh, pasi nuk është e mundur të vendoseshin të gjithë në shtëpi të azilkërkuesve për shkak të numrin të madh të tyre.
Edmond Hoxha, azil kërkues nga Kosova thotë se për shkak të gjendjes së keqe ekonomike kanë braktisur gjithçka. “Do ta durojmë këtë situate sepse s’ka kthim mbrapa” thotë ai për Francë 3.
Ndërsa Arton Shala tjetër azilkërkues thotë se ka shpresa tek shoqatat që po u vijnë në ndihmë me ushqime se do tu gjejnë edhe një strehë.
Por France 3 në reportazhin e saj thotë se problemi qëndron te qeveria që këmbëngul për të mos dhënë azil.
Rreth 70% e të rinjve në Kosovë janë të papunë, ndërsa 500 mijë qytetarë llogaritet se jetojnë me vetëm 1.72 euro në ditë.