Reuters: Haradinaj rrezikon të arrestohet gjatë udhëtimeve dhe vizitave zyrtare jashtë Kosovës

Agjencia e lajmeve Reuters ka shkruar se kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj rrezikon të arrestohet gjatë udhëtimeve jashtë vendit nëse Serbia nuk tërheq kërkesën për arrest ndaj tij në Interpol.

Teksa sjell në vëmendje arrestimin e tij në Francë më herët gjatë këtij viti, Reuters shkruan se Haradinaj mund të arrestohet gjatë vizitave jashtë shtetit nëse Serbia nuk e deaktivizon fletarrestin.

Një vizitë e Kryeministrit Haradinaj në Bruksel javën e ardhshme, e dyta që prej se kreu i qeverisë së Kosovës ka marrë postin e Kryeministrit, do të jetë testi i radhës, sipas Reuters.

“Diplomatët perëndimorë në Prishtinë, si dhe zyrtarë të lartë vendës, druajnë se Haradinaj mund të arrestohet nëse ai udhëton jashtë vendit në vizita zyrtare nëse fletarresti nuk tërhiqet” shkruan agjencia botërore.

Gjithashtu Reuters rikujton se Serbia, e mbështetur nga Rusia dhe Kina, po e bllokon anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

“Prishtina është duke dërguar në mënyrë konstante kërkesa që Interpoli ta largojë emrin e tij nga paralajmërimi i kuq, por fatkeqësisht kjo nuk po ndodh. Këto janë akuza të motivuara politikisht, por secili zyrtar policor në pikë kufitare do ta shohë emrin e tij me parlajmërimin e kuq dhe është obligim i tij që ta respektojë atë”, i ka thënë Reutersit një zyrtar i lartë kosovar.

SHKARKO APP