Rexhep Qosja: Mustafa është vrasës. Kryeministri: Shko në psikiatri!
Një debat i ashpër ka nisur mes akademikut të njohur Rexhep Qosja dhe kryeministrit të ri të Kosovës, Isa Mustafa. Në një koment në rrjetin social Facebook, Qosja shprehet se është tmerruar nga zgjedhja e Mustafës kryeministër. Sipas tij, Mustafa është përgjegjës për dhunën ndaj shqiptarëve gjatë regjimi serb, por nuk heziton ta cilësojë atë dhe si vrasës. Nuk ka munguar dhe reagimi i kryeministrit Mustafa. Ai shprehet se Qosja është tmerruar 14 herë për zgjedhjen e tij si kryeministër, ndërsa shton se "herën e 15 të shkojë në psikiatri".
Më poshtë mund të lexoni qëndrime e plota.
Deklarata e Mustaës
“Rexhep Qosja, qenka tmerruar katërmbëdhjetë herë që unë jam zgjedhur Kryeministër dhe që Z. ThaçI ma ka dorëzuar detyrën. Herën e pesëmbëdhjetë Qosja le të shkojë te psikiatri. Regjimi i Millosheviqit më ka ndjekur me padi penale dhe fletarrest për cenim të integritetit territorial të ish Jugosllavisë dhe jam detyruar të dal e të jetoj 9 vite në ekzil, e Qosjen nuk e ka prekur askush në Prishtinë. Një rrenc i madh, si Rexhep Qosja dhe vetëm një mendje e degjeneruar si e tij, mund të prodhoj vrasës, armiq, ashtu siç kanë prodhuar njerëzit e UDB-as jugosllave, e sigurimit shqiptar. Me këtë logjikë Qosja kallte Shqipërinë në vitin 1997, dhe vazhdoi të sulmojë Ibrahim Rugovën e çdo bashkëpunëtor të tij. Kur shoh se sa i tmerruar është Qosja, mburrem dy herë më shumë që unë jam Kryeministër i Republikës së Kosovës, sepse nuk kam asgjë të përbashkët me te”.
Deklarata e Rexhep Qoses
Rexhep Qosja: U tmerrova me qeverinë e Kosovës! Isa Mustafa është vasës
U tmerrova të premten më 12 dhjetor, kur ish- kryeministrin e Kosovës në detyrë, Hashim Thaçin, e pashë duke ia dorëzuar kryeministrinë, në tepih të kuq, kryetarit të LDK-së, Isa Mustafës. A e dinte Hashim Thaçi se kujt po ia dorëzonte kryeministrinë e Kosovës? A e dinte Hashim Thaçi se Isa Mustafa ishte kryetar i Qeverisë së Prishtinës në kohën e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit! A e dinte Hashim Thaçi se Isa Mustafa ishte Ministër i Qeverisë së Kosovës e cila në dhjetor të vitit 1989 e urdhëroi milicinë që të shuante tubimet protestuese të studentëve dhe të rinisë shqiptare, me ç’rast u vranë 32 protestues dhe u plagosën 70? A e dinte Hashim Thaçi se kryeministrinë e Kosovës po ia dorëzonte njërit prej vrasësve të protestuesve shqiptarë, që po kërkonin Kosovën republikë? A e dinte Hashim Thaçi se asnjë shtet i dinjitetshëm evropian nuk i bën kryeministra vrasësit e atyre që mbrojnë popullin prej dhunës së pushtuesit? U tmerrova kur në Kuvendin e Kosovës u dëgjua se Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës iu dorëzua Isa Mustafës, partia e të cilit s’ka lënë mjet propagandistik pa përdorur me qëllim të komprometimit politik, moral e kombëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë Luftës e pas Luftës! U tmerrova kur mendova se, paraardhësja e FSK-së, UÇK-ja, që u çua në luftë kundër pushtimit serb, kundër regjimit gjakatar të Sllobodan Millosheviqit, dhe shqiptarëve që ishin vënë në shërbim të tij, ndër të cilët ishte rreshtuar edhe zyrtari i lartë, Isa Mustafa, u tmerrova pra kur UÇK-ja e lavdishme iu dorëzua armikut të vet të dikurshëm, Isa Mustafës. U tmerrova kur mendova se ish përfaqësuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, harroi se në këtë mënyrë po fyente rëndë UÇK-në e Luftës dhe po fyente rëndë Forcën e sotme të Sigurisë së Kosovës! U tmerrova kur kryeministrin e porsazgjedhur të Kosovës, ish zyrtarin e Millosheviqit, Isa Mustafën, e dëgjova të thotë se detyra e parë e Kuvendit të Kosovës dhe e Qeverisë së tij është miratimi i ligjit për gjykatën e veçantë të Kosovës!
U tmerrova kur mendova se Hashim Thaçi duarhapur ia dorëzoi fatin e komandantëve të UÇK-së, në të vërtetë të krejt UÇK-së ish zyrtarit të Sllobodan Millosheviqit, kryeministrit të tanishëm të Kosovës, Isa Mustafës. U tmerrova kur e dëgjova fjalimin programatik, mashtrues, të Isa Mustafës, në Kuvendin e Kosovës, në të cilin asnjëherë nuk e përmendi fjalën Shqipëri! Dhe si ta përmendte? Shqipërinë e futi shumë lehtë ai në thesin e tij politik me Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Greqinë, Bullgarinë – si vende të rajonit! U tmerrova kur disa zyrtarë e jo zyrtarë i dëgjova duke thënë se Isa Mustafa s’duhet të jetë viktimë politike e jetëshkrimit të vet antikombëtar në kohën e terrorit më të madh të Millosheviqit!
U tmerrova se si të gjithë këta gojëtarë u pajtuan me viktimizimin politik të Fadil Hoxhës, të Veli Devës, të Xhavit Nimanit, të Ismail Bajrës, të Azem Vllasit e të shumë udhëheqësve të tjerë shqiptarë, që Milloshëviqi i qiti edhe prej Lidhjes së Komunistëve, sepse po trajtoheshin si nacionalistë shqiptarë, por s’po u pajtuakan me viktimizimin politik të zyrtarit të përkushtuar në regjimin e Rrahman Morinës, domethënë të Millosheviqit, Isa Mustafës! A ka parimësi në gjykimet e këtyre njerëzve dhe a ka drejtësi në gjykimet e këtyre njerëzve? Dhe, a mbrohet dinjiteti politik e shtetëror i Kosovës me gjykime të tilla? Jo, natyrisht.
U tmerrova kur mendova se asnjë anëtar i udhëheqjes së PDK-së dhe, sa më duket, asnjë anëtar i PDK-së, nuk e ngriti zërin kundër kësaj dhurate politike, fyese për Kosovën, që Hashim Thaçi ia fali Isa Mustafës! Do të pajtohesha që çdo anëtar i LDK-së të bëhej kryeministër i Kosovës, por dinjiteti politik dhe shtetëror i Kosovës më bën të vendosur të mos pajtohem që kryeministër të jetë ish zyrtari i Rrahman Morinës, në të vërtetë i Sllobodan Millosheviqit, Isa Mustafa.
Ky njeri ia ka kthyer shpinën Kosovës në ditët më të rënda të popullit të saj shqiptar; ia ktheu shpinën Bllokut politik me të cilin gjatë gjashtë muajve shqiptoi aq fjalë komprometuese për PDK-në, kryetarin e saj dhe ish kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin. A mos mendon Hashim Thaçi se ky njeri që ia ktheu shpinën Kosovës në ditët e saj më tragjike, që ia ktheu shpinën Bllokut me të cilin bëri betejë gjashtëmujore politike kundër tij, mos mendon, pra, Hashim Thaçi se ky njeri zëvendës i të cilit ka pranuar të bëhet, pas të cilit do ta shohim tani e tutje, s’do t’ia kthejë shpinën edhe atij.
Hashim Thaçi kishte zgjidhjen e dinjitetshme: kishte Ramush Haradinajn, Fatmir Limajn, Jakup Krasniqin dhe Albin Kurtin, por Hashim Thaçi, sigurisht i këshilluar e i ç’këshilluar qysh s’duhet, u deklarua për zgjidhjen fatale! Ai e harroi një të vërtetë që s’do të dëshiroja kurrë ta harronte: rënia e mjerë e zhvlerëson ngritjen e lavdishme! Jam i tmerruar sot kur po i shoh të heshtur ish të burgosurit politikë, veteranët e Luftës, invalidët e Luftës, studentët e Universitetit Publik të Prishtinës – pasardhësit e studentëve të lavdishëm të vitit 1981 – të gjithë ata që Kosovës, me luftën e tyre çlirimtare, ia kthyen nderin e dinjitetin e humbur. Mos këta të merituar mendojnë se misioni i tyre ka marrë fund në vitin 1999? Mos këta të merituar pajtohen me identitetin e tyre të sotëm – të ndryshuar! Kam drojë, kam shumë drojë se këtë tmerrim do ta marr me vete përgjithnjë!
Marrë nga faqja zyrtare në Facebook