Rezolutë kundër ndotjes së ajrit, kontroll karburanteve dhe gazit sipas ligjeve në fuqi

Kuvendi i Kosovës miratoi ditën e enjte një rezoltutë për ndotjen alarmante të ajrit në Kosovë. Në seancën e jashtëzakonshme, deputetët e Kuvendit votuan me 73 vota pro, që mbrojtja e ambientit të shndërrohet në prioritet shtetëror të Qeverisë së Kosovës. Ata kërkuan vendosjen e elektrofiltrave të cilësisë së duhur në termocentralet e Korporatës Energjitike, deri në fund të vitit 2018.

Në seancën e jashtëzakonshme të së enjtes, Kuvendi i Kosovës miratoi me 73 vota një rezolutë për gjendjen alarmante të ndotjes së ajrit në Prishtinë.

Përmes kësaj rezolute, deputetët e Kuvendit kërkuan që mbrojtja e ambientit të shndërrohet në prioritet shtetëror të Qeverisë së Kosovës.

Ata kërkuan vendosjen e elektrofiltrave të cilësisë së duhur në termocentralet e Korporatës Energjitike, deri në fund të viti 2018.

Teksti i rezolutës së miratuar.

1) “Të bëhet kontroll i cilësisë së karburanteve dhe gazit sipas ligjeve në fuqi, deri në fund të gjashtë mujorit të parë të vitit 2018. Të ndahet buxhet për izolimin e ndërtesave publike, me prioritet objektet shëndetësore dhe arsimore”.

2) “Qeveria të ndajë buxhet shtesë që t’i shtohen mjeteve të Korporatës “Sfidat e Mijëvjeçarit të SHBA-së” në vlerë prej 22 milionë dollarë, me qëllim që të ndihmojë projektet e ndërlidhura me efiçiencë. Të shtohen investimet kapitale për ngrohtoren Termokos, për dyfishim të kapaciteteve të koogjenerimit”

Kuvendi i Kosovës ka kërkuar nga komunat të shikojnë menjëherë politikat e subvencionimit të ekonomive familjare dhe të merret vendim për ndalimin e thëngjillit për objektet kolektive.

Deputetët në seancën e sotme kritikuan qeverisjet e deritanishme në Kosovë, që sipas tyre nuk janë marrë me parandalimin e gjendjes të cilësisë së ajrit, por janë kujtuar vetëm kur gjendja është bërë alarmante.

Ata kanë kërkuar që të identifikohen burimet e ndotjes së ajrit në Kosovë, duke sugjeruar të bëhet një hulumtim shkencor që të saktësohet për  qindja e ndotjes që vjen nga termocentralet, thëngjilli si dhe automjetet e shumta.

Gjatë diskutimeve, deputetët konstatuan se cilësia së ajrit është tejet shqetësuese jo vetëm për Prishtinën, por edhe për rajone të tjera të Kosovës.

Të dhënat nga Ambasada e SHBA në Kosovë kanë treguar se gjatë kësaj jave, vlerat e grimcave PM janë 2.5 herë më të larta se normalja.

Komuna e Prishtinës dhe Qeveria e Kosovës kanë marrë masa, për ta ulur nivelin e ndotjes së ajrit.

Ato kanë ndaluar shitjen e thëngjillit brenda territorit të Prishtinës, si dhe qarkullimin e të gjitha automjeteve brenda qytetit të Prishtinës nga ora 6 deri në orën 22, përveç atyre të transportit publik, automjeteve emergjente, të Policisë, të misioneve diplomatike.

SHKARKO APP