Rifillimi i dialogut me Serbinë, Mustafa e Thaçi bashkë në Bruksel
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa nuk do të jetë i vetëm në Bruksel përballë kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç në rifillimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi që pritet të nisë në janar.
Mustafa do të ketë afër edhe zëvendësin e tij, Hashim Thaçin, i cili deri para zgjedhjeve të 8 qershorit ka drejtuar dialogun politik.
“Pjesë e ekipit të kryeministrit Isa Mustafa, në bisedimet e dialogut politik me Serbinë në Bruksel, do të jetë edhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi”, ka thënë një burim nga Qeveria e Kosovës.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, javën e kaluar ka zhvilluar një takim në Bruksel me zyrtaren e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, e cila ka paralajmëruar se takimi i ardhshëm në mes të kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe atij serb, Aleksander Vuçiq, i ndërmjetësuar nga ajo, do të mbahet në muajin janar.